Madonna u rikthye në Coachella 20 vjet pas paraqitjes së saj të parë në festival ndërsa ka bërë thirrje për “kthimin e sigurt” të veshjes vintage që veshi në paraqitjen e vitit 2006, pasi sipas saj, ajo është zhdukur në rrethana të panjohura. Dy dekada më pas, mbretëresha e popit veshi një kostum trupi vjollcë vintage me çorape vjollcë dhe doreza ngjyrë livando, duke zbuluar se ishte “e njëjta korse, të njejtat çizme dhe xhaketa Gucci” që veshi në paraqitjen e saj të parë në Coachella në vitin 2006.
“Ende duke fluturuar lart që nga nata e së premtes në Coachella! Faleminderit Sabrinës dhe të gjithë atyre që e bënë të mundur . Të riktheja Confessions II aty ku filloi gjithçka ishte shumë emocionuese. Ai moment ishte i veçantë derisa zbulova se copat vintage që kisha veshur ishin zhdukur, veshja ime që nxora nga arkivi im personal, xhaketa, korseja, fustani dhe të gjitha rrobat e tjera. Këto nuk janë vetëm rroba, ato janë pjesë e historisë sime. Edhe sende të tjera arkivore nga e njëjta epokë u humbën. Shpresoj dhe lutem që ndonjë shpirt i mirë t’i gjejë këto sende dhe të kontaktojë ekipin tim. Po ofroj një shpërblim për kthimin e tyre të sigurt. Faleminderit me gjithë zemër”, shkroi Madonna në një stori në Instagram.
Në një stori të dytë, ajo ripostoi foto të rrobave që veshi në Coachella, të cilat që atëherë kanë humbur. Kujtojmë që Madonna u rikthye në Coachella 20 vjet pas paraqitjes së saj të parë në festival, duke kënduar me Sabrina Carpenter. Këngëtarja 67-vjeçare, e cila kohët e fundit njoftoi publikimin e albumit të saj “Confessions On A Dance Floor: Part II”, doli në skenë të premten, më 17 prill, drejt fundit të performancës kryesore të Carpenter.
Shfaqja vjen dy dekada pasi Mbretëresha e Popit performoi në festivalin e muzikës në vitin 2006. Dyshja performuan hite të Madonnës si “Vogue” dhe “Like A Prayer” dhe debutuan një duet të ri që thuhet se do të jetë në albumin e ardhshëm të Madonnës. Këngëtarja mahniti me një korse vjollcë, doreza ngjyrë vjollcë deri në bërryl dhe çizme me taka deri në gju.
Madonna iu drejtua audiencës gjatë performancës së saj dhe ndau emocionin e saj për rikthimin në skenën e Coachella.
“Pikërisht njëzet vjet më parë, performova në Coachella. Ishte hera e parë që performova ‘Confessions on a Dance Floor’ në Amerikë, dhe kjo ishte shumë emocionuese për mua, kështu që mund ta imagjinoni sa emocionuese është të kthehem njëzet vjet më vonë me të njëjtat çizme, me të njëjtën korse, me xhaketën që kisha veshur më parë, një xhaketë Gucci. Pra, është një moment që bën një cikël të plotë, e dini? Do të thotë shumë për mua “, tha ajo.


The post Madonna rikthehet në Coachella me Sabrina Carpenter, misteri i kostumeve të humbura appeared first on Euronews Albania.
