Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat ka bërë të ditur se këtë të premte, më 1 maj 2026, do të mbahet një protestë paqësore në Prishtinë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punës.
Sipas njoftimit zyrtar, grumbullimi i pjesëmarrësve është paraparë të nisë në orën 10:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vijuar më pas me marshim drejt hapësirës mes ish-objektit të Gërmisë dhe ndërtesës së Qeverisë.
Organizatorët theksojnë se kjo protestë synon të ngrejë zërin për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës dhe respektim më të plotë të legjislacionit në fuqi.
1 Maji, i njohur globalisht si Dita Ndërkombëtare e Punës, përfaqëson simbolin e përpjekjeve të vazhdueshme për të drejta sociale dhe ekonomike. Kjo ditë ka rrënjë historike në lëvizjet sindikale për vendosjen e orarit 8-orësh të punës, të lidhura me protestat e njohura si “Haymarket” në Çikago.
Edhe sot, në shumë vende të botës, 1 Maji shënohet përmes aktiviteteve dhe protestave që synojnë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve.
The post 1 Maj, Dita e Punëtorëve! Prishtina në protestë për përmirësimin e kushteve të punës appeared first on Euronews Albania.
