Mbrëmjen e së martës, skena e Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit u gjallërua nga rikthimi i shumëpritur i Anbeta Toromani, e cila u ngjit në skenë në rolin e fuqishëm të Carmen. Pas thuajse një dekade larg këtij institucioni, kjo shfaqje shënon një moment të rëndësishëm për balerinën.
“Unë kthehem mbas disa vitesh me kënaqësi dhe me vështirësi… kemi bërë maksimumin që mund të jepnim. Është një rol që më ka vënë në diskutim, sepse nuk jam aspak karakter i Carmen-it, por me sa duket diku brenda meje paska qenë një Carmen” tha Toromani.
Këtë herë produksioni sjell një interpretim modern të historisë së njohur të pasionit, lirisë dhe fatit.
“E kam për nder të performoj këtë balet, për shkak të maestros, se është i pari që më ka thirrur për ta bërë. Më pëlqen gjuha e tij e dhe karakteri i tij në balet. Duket një balet i bërë në këto ditë, i sotshëm. Kështu që nuk vë në vështirësinë për të mos qenë vetvetja, është ekzaktësisht e kundërta: gjen mënyrën për të qenë absolutisht vetvetja”, shtoi ajo.
Rikthimi i saj në këtë skenë nuk është thjesht një performancë, por një zgjedhje e vetëdijshme artistike, në një moment të veçantë të karrierës.
“Jam në një fazë ku zgjedh vetëm gjërat që më prekin… nuk është më për të provuar diçka, por për të përjetuar diçka që më ushqen si artiste”, tha balerina.
Koreografi Amedeo Amodio sjell një version ndryshe të “Carmen”, duke ndërthurur simbolikën dhe një rrëfim që nis nga fundi tragjik i historisë.
“Versioni im fillon me fundin e aktit, me ciganët që kërcejnë të lumtur. Ndërsa kërcejnë, të gjithë festojnë. Pastaj, në një moment të caktuar, skena lëviz dhe Carmen, e veshur me të bardha, ajo ecën ngadalë. Lëviz dhe hija nuk i përgjigjet më lëvizjeve të saj. Ai praktikisht po e paralajmëron. Ajo i afrohet, zbulon fytyrën me vellon e bardhë. Ai tërbohet. Dhe ajo vdes dhe hija tërbohet”, tha ai.
Krahas Anbeta Toromanit, Carmen do të interpretohet edhe nga Adela Muçollari, në një premierë, ku bashkohen arti, pasioni dhe eleganca. Shfaqjet do të vijojnë edhe 9 dhe 10 maj, ndërsa është parashikuar që baleti të shfaqet edhe në Bolonjë.
The post Shfaqja “Carmen” kthen në skenën e TKOB balerinën Anbeta Toromani appeared first on Euronews Albania.
