Për të shtatën ditë me radhë, deputetët e partive opozitare, PDK-së dhe Aleancës, shumë herët në mëngjes janë paraqitur para dyerve të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Këtë të premte, atyre u janë bashkuar edhe asamblistë të PDK-së nga komuna e Lipjanit.
Të dy partitë kanë vazhduar akuzat e forta kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka thënë se Kurti do të mbahet përgjegjës nëse situata eskalon.
“Ne i bëjmë thirrje që sa më shpejt të ndryshojë këtë qëndrim, sepse në këtë formë, nëse vazhdohet edhe më tutje, zemërimi i qytetarëve do të rritet dhe për pasojat, përgjegjësitë do t’i bartë ai në ditët në vazhdim”, tha Fadil Demaku, deputet i PDK.
Ndërkohë, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e ka quajtur Vetëvendosjen recidiviste të shkeljes së Kushtetutës.
“Një ndër shkeljet më të mëdha zinxhirore historike ka ndodhur në udhëheqjen e një partie e cila, siç po shihet, po struket diku në zyrat e veta dhe e cila vazhdon me qenë recidiviste në shkelje kushtetuese. Historia do të tregojë se një kabinet qeveritar i përbërë prej 21 anëtarëve, e prej tyre 17 ia vjedhin vetëm deputetëve, 17 njerëzve nuk ju vjen marre me shku prej Kuvendit në ministri me ushtru funksione dyfish të kundërligjshme”, u shpreh Tahiri.
Me vazhdimin e bllokimit të institucioneve, po afron edhe data e vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së. Kreu i veteranëve, Hysni Gucati, e ka akuzuar kryeministrin Kurti se nuk ka realizuar asnjë kërkesë të veteranëve.
“Është e vërtetë që ne s’kemi kërkesa të mëdha as në qeveri, megjithëse me këtë qeveri dua t’i jap kritikat në start, s’kemi raporte, as raporte bisedimesh, as raporte takimesh, as kërkesa. Deri më sot, që 6 vite, asnjë kërkesë nuk është realizuar nga kjo qeveri. Ne i kemi 67 me kancer, 24 janë në Turqi duke u trajtuar, një pjesë janë nëpër Europë, Francë, Gjermani, një pjesë në Kosovë. Që do të thotë, as për ata kërkesat nuk janë realizuar, që e kanë obligim me ligj. Është me ligj. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë obligim për veteranë, invalidë, fëmijët e dëshmorëve me i dërgu me u shëruar. Është me ligj”, tha Gucati.
Vetëvendosje dhe LDK-ja nuk kanë bërë asnjë hap të ri drejt zgjidhjes së krizës institucionale, që prej takimit të së martës, kur Kurti e Abdixhiku thanë se janë pajtuar për kriteret e zgjedhjes së presidentit konsensual.
The post “Hapini dyert e Kuvendit”, PDK dhe Aleanca vazhdojnë protestën para Qeverisë appeared first on Euronews Albania.
