PSG siguroi një vend në finalen e UEFA Champions League pas barazimit 1-1 ndaj Bayern Munich në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales, të zhvilluar në Allianz Arena, duke triumfuar me rezultatin e përgjithshëm 6-5.
Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique tregoi qetësi dhe kontroll në një përballje të nivelit të lartë, duke konfirmuar epërsinë e fituar në ndeshjen e parë, e cila kishte përfunduar 5-1 në favor të parisienëve.
PSG e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh që në minutën e 3-të me një gol të shpejtë të Ousmane Dembele, pas një aksioni të bukur të Khvicha Kvaratskhelia, i cili depërtoi në krah dhe asistoi në mënyrë vendimtare.
Në pjesën e parë dhe gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, PSG krijoi raste të shumta dhe kontrolloi ritmin e lojës, ndërsa Bayern u përpoq të reagojë përmes kundërsulmeve.
Portieri i Bayern, Manuel Neuer, ishte një nga protagonistët kryesorë të ndeshjes, duke bërë pritje vendimtare që shmangën për gjermanët ndërsa në minutat e fundit, Bayern arriti të barazojë rezultatin me një gol spektakolar të Harry Kane në minutën 90+4, por ky gol nuk mjaftoi për të përmbysur kualifikimin.
Takimi u shoqërua edhe me polemika arbitrimi, me pretendime për karton të kuq dhe penallti nga të dyja skuadrat, por gjyqtari nuk ndryshoi vendimet kryesore.
Në fund, PSG feston kualifikimin në finale, duke konfirmuar formën e mirë në këtë edicion të Champions League ndërsa pas ndeshjes për mediat folën dy trajnerët, Luis Enrique dhe Vincent Kompany.
Për Enriquen, skuadra e tij e meritoi fitoren, edhe pse përballë kishte një ekip në nivel të barabartë. Trajneri spanjoll u shpreh se trofeu do të ishte një dhuratë për tifozët, duke përmendur edhe sfidat me kolegun e tij bashkëkombas te Arsenali, Mikel Arteta.
“Janë kujtime të bukura. Mund ta mbyllnim ndeshjen më herët. Nga ana tjetër, performanca ishte më e mirë se sulmi. Karakteri që treguam ndaj një skuadre si Bayern është shumë pozitiv. Jemi shumë të lumtur që arritëm një finale të dytë radhazi në Champions League”, tha ai.
Nga ana tjetër, trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany nuk e fshehu zhgënjimin për eliminimin.
“Natyrisht është e vështirë ta pranosh, humbëm ngushtë. U përballëm si të barabartë me PSG-në dhe këto ndeshje vendosen nga detajet e vogla. Pjesa e parë ishte e mirë për ne, ndjeva se ishim skuadra më e mirë dhe shpesh arritëm në zonat ku jemi të rrezikshëm, por PSG mbrojti shumë mirë krosimet.
Edhe pse krijuam situata të rrezikshme, ata u siguruan që të mos arrinim goditjen finale. Baza është gjithmonë energjia dhe skuadra e tregoi sërish këtë. Fatkeqësisht nuk jemi në finale. Duhet të pranojmë se luajtëm kundër një kundërshtari të madh”, tha ai.
Trajneri belg shtoi se nuk dorëzohet dhe se sezonin e ardhshëm Bayern do të jetë sërish mes pretendentëve.
“Champions League ka mbaruar për ne tani, por do të ketë momente dhe mundësi të tjera. Kjo është motivim i madh edhe për mua. Niveli i të dyja skuadrave ishte shumë i lartë. PSG ka shumë cilësi, ndoshta ka qenë skuadra më e mirë në Evropë në dy vitet e fundit. Kemi luajtur 5 herë kundër tyre, kemi fituar dy herë, kemi humbur dy dhe kemi barazuar një. Urime PSG-së, por ne do të provojmë sërish”, tha Kompany.
Në finalen e madhe, PSG do të përballet me Arsenal më 30 maj në Budapest, në një duel që pritet të jetë vendimtar për trofeun europian.
The post Champions League, PSG eliminon Bayern Munich dhe siguron finalen ndaj Arsenalit appeared first on Euronews Albania.
