Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas raportimit për listën e kandidatëve të 10-shës së parë për zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur se në listë mban numrin 12, duke shtuar se renditja nuk paraqet problem për të, pasi beteja e saj nuk është për fitore personale, por për parime dhe për një Kosovë me institucione të forta.
“Prej se jam në politikë, e zgjedhur deputete shtatë herë, kam qenë, jam dhe do të jem në LDK. Nuk e kam braktisur LDK-në për interesa personale dhe nuk e kam parë asnjëherë si stacion të përkohshëm politik”, ka shkruar Bajrami.
KosovaPress mëson se në dhjetëshen e parë të listës së LDK-së për kandidatë për deputetë është e renditur në këtë mënyrë, Vjosa Osmani me numrin 1, pasuar nga Lumir Abdixhiku me numrin 2, Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Albena Reshitaj, Ukë Rugova, Jeta Statovci dhe i dhjeti Anton Quni.
Sikur Hykmete Bajrami, edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti nuk qëndron në dhjetëshen e parë të kësaj liste.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar në mënyrë jo direkte lidhur me raportimet e fundit se ai nuk është në mesin e 10 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Hoti përmes një postimi në Facebook është shprehur se numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sonte është afati i fundit për dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë në KQZ. Zgjedhjet parlamentare mbahen më 7 qershor.
The post Hykmete Bajrami reagon për 10-shën e parë në listën e LDK-së appeared first on Euronews Albania.
