Zyrtarisht do të shpallet të enjten, por lista e përfaqësueses gjermane për Botërorin duket se është rrjedhur në media një ditë para njoftimit të trajnerit Julian Nagelsmann.
Një nga vendimet më të bujshme është rikthimi i portierit veteran Manuel Neuer. 40-vjeçari, i cili kishte përfunduar karrierën ndërkombëtare pas Euro 2024, do të zëvendësojë Oliver Baumann si portier i parë, ndërsa Alexander Nubel do të jetë i tretë. Raportohet se Jonus Urbig do të udhëtojë me ekipin, por nuk do të jetë pjesë e listës finale.
Një tjetër surprizë është përfshirja e sulmuesit të Köln, Said El Mala, i cili ka shënuar 13 gola dhe ka dhuruar 5 asistime në sezonin e tij të parë në Bundesliga. Talentët e rinj si Lennart Karl dhe të tjerë, gjithashtu do të jenë pjesë e udhëtimit.
Nga yjet e mëdhenj priten të jenë Kai Havertz, Florian Wirtz, Joshua Kimmich, Jamal Musiala, Antonio Rüdiger, Jonathan Tah dhe Nico Schlotterbeck. Ndërkohë, sulmuesi i Milanit, Niclas Fullkrug, nuk do të jetë pjesë e ekipit.
Trajneri Nagelsmann do të nisë kështu turneun e tij të dytë të madh si trajner i përfaqësueses gjermane, me një ekip që kombinon përvojën e veteranëve me energjinë e talenteve të reja, për t’u përballur me sfidat në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
The post Zbulohet lista e përfaqësueses gjermane për Botërorin 2026/ Rikthimi i Neuer është i vërtetë, spikat dhe talenti i Bayern-it appeared first on Euronews Albania.
