Ratko Mladiç, gjenerali serb i Bosnjës, forcat e të cilit bombarduan Sarajevën dhe qëlluan mbi të me snajperë, si dhe kryen masakrën më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka vdekur derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krimet e tij,.
Raportimet thanë se Mladiç vdiq në spitalin e burgut të OKB-së në Hagë të Holandës. Një anëtar i familjes së tij, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës, e konfirmoi lajmin për AP-në dhe tha se djali i Mladiqit, Darko Mladiç, ishte nisur drejt Hagës.
Zyrtarët e gjykatës së OKB-së i thanë AP-së përmes një deklarate se nuk mund ta konfirmonin menjëherë vdekjen e Mladiçit.
Tribunali i OKB-së për krimet e luftës të kryera gjatë luftërave në Jugosllavi në vitet 1990 e dënoi Mladiqin me burgim të përjetshëm në vitin 2017, në atë që u konsiderua një hap kyç drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat. Ai ndodhej në paraburgim që nga viti 2011, pas shumë vitesh në arrati.
Ish-oficeri komunist, i cili më pas u shndërrua në një udhëheqës ushtarak nacionalist, ishte një nga figurat më famëkeqe të konfliktit që la mbi 100 mijë njerëz të vdekur dhe më shumë se një milion të pastrehë. Ai i urdhëronte trupat e tij t’ua “digjnin trurin” myslimanëve të Bosnjës dhe mburrej duke e quajtur veten “Zoti serb”.
Kur lufta etnike në Bosnjë filloi në vitin 1992, Mladiç u bë komandant i forcave serbe të Bosnjës dhe mori nën kontroll pjesë të mëdha të vendit për të krijuar një entitet serb.
Forcat serbe nën kontrollin e Mladiqit rrethuan kryeqytetin, Sarajevën, si dhe qytete e fshatra të tjera, ngritën kampe për civilët joserbë të ndaluar dhe ushtarët kundërshtarë, si dhe vranë sistematikisht të burgosur.
Në Sarajevë, trupat serbe e mbajtën qytetin të izoluar, ndërsa vrisnin civilë me snajperë. Në vitin 1995, forcat e Mladiqit masakruan më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë – rasti i vetëm i gjenocidit në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Por vetë Mladiq dhe admiruesit e tij në mesin e serbëve nuk shfaqën asnjëherë pendesë. Shumë prej tyre e konsideronin patriot që luftonte për krijimin e shtetit të parë gjithëserb. Mladiq u soll në mënyrë sfiduese gjatë procesit gjyqësor dhe u bërtiti gjyqtarëve kur u dënua me burgim të përjetshëm.
Mladiq lindi më 12 mars 1942, në fshatin e vogël boshnjak Bozhinoviqi, në kodrat rreth 40 kilometra në jug të Sarajevës. Ashtu si protagonistë të tjerë të konfliktit jugosllav, nacionalizmi i tij u ndikua nga fati i familjes gjatë Luftës së Dytë Botërore – babai i tij ishte vrarë nga kroatët.
Oficer gjatë periudhës komuniste, Mladiq u rreshtua me serbët ndërsa Jugosllavia po shpërbëhej përmes luftërave. Fillimisht ai udhëhoqi një kryengritje serbe në Kroaci, përpara se të merrte komandën e ushtrisë së serbëve të Bosnjës, i cili mbështetej nga Serbia dhe presidenti i atëhershëm Slobodan Millosheviq. Ky i fundit vdiq në paraburgimin e Tribunalit të Hagës në vitin 2006, ndërsa po gjykohej për gjenocid.
Mladiq njihej për obsesionin e tij me historinë e kombit të vet. Ai e shihte luftën në Bosnjë si një mundësi për hakmarrje për pushtimin rreth 500-vjeçar osman të Serbisë. Myslimanët e Bosnjës i quante shpesh “turq” dhe mburrej me hakmarrjen kur trupat e tij pushtuan enklavën e mbrojtur nga OKB-ja në Srebrenicë në vitin 1995.
I nxitur nga epërsia e forcave serbe në armatim dhe nga shpërfillja ndërkombëtare, Mladiq ishte i bindur për fitoren përfundimtare.
“Ka ardhur koha… për hakmarrje ndaj turqve në këto vise”, tha Mladiq pasi mori nën kontroll Srebrenicën.
Srebrenica, e shpallur nga OKB-ja “zonë e sigurt” për myslimanët, u pushtua nga forcat serbe, të cilat ndanë burrat dhe djemtë, i detyruan të zhvisheshin, i vranë dhe më pas i varrosën trupat e tyre në varreza masive. Masakra brutale zgjati më shumë se një javë.
Të mbijetuarit e Srebrenicës kanë thënë se një pamje do t’u mbetet përgjithmonë në kujtesë: Mladiq duke u shpërndarë karamele fëmijëve myslimanë që ishin grumbulluar në sheshin e qytetit dhe duke i siguruar se gjithçka do të shkonte mirë – madje duke përkëdhelur një fëmijë në kokë.
I bindur në fuqinë e ushtrisë së tij, ai u thoshte ushtarëve: “Kur unë ju jap garanci, është sikur ato t’jua ketë dhënë Zoti”. Për t’ia hapur rrugën helikopterit të tij për ulje, ai u thoshte kontrollorëve të trafikut ajror: “Këtu flet Ratko Mladiq – Zoti serb”.
Banorët e Sarajevës ende i kujtojnë urdhrat e tij drejtuar forcave serbe që godisnin kryeqytetin boshnjak në fillim të vitit 1992. Ai i jepte urdhrat përmes sistemit ushtarak të radios, pa u munduar ta kodonte sinjalin, i cili kapej dhe regjistrohej nga policia e Sarajevës.
“Kthehuni drejt Veleshiqit, atje nuk ka serbë”, dëgjuan banorët e Sarajevës teksa Mladiq urdhëronte artilerinë e tij të godiste periferinë e qytetit.
“Digjuni trurin”, u thoshte ai forcave të tij.
Pasi Tribunali i OKB-së ngriti aktakuzë për gjenocid ndaj tij, Mladiq në vitin 1996 nisi jetën si i arratisur në Han Pijesak, një kompleks ushtarak në Bosnjën lindore, i ndërtuar për ish-udhëheqësin komunist jugosllav Josip Broz Tito dhe i projektuar për t’i rezistuar një sulmi bërthamor.
Së bashku me bashkëshorten e tij, Bosa, Mladiq iu përshtat një jete të izoluar, duke kaluar kohën duke u kujdesur për bletët dhe dhitë. Thuhej se 23 dhive të tij u kishte vënë emrat e personaliteteve të huaja që i përçmonte, përfshirë Madeleine Albright, ish-sekretaren amerikane të Shtetit.
I rrethuar nga roje sigurie, herë pas here dilte nga pyjet e dendura me pisha për të shënuar ngjarje si përvjetori i ushtrisë së serbëve të Bosnjës dhe Dita e Shën Vitusit, festë fetare që përkujton humbjen serbe ndaj osmanëve në Betejën e Kosovës të vitit 1389.
Kur në fund të viteve 1990 gjurmimi i tij u intensifikua në Bosnjë, Mladiq u zhvendos me familjen në një vilë periferike në kryeqytetin serb, Beograd.
Në Beograd, ai u pa duke marrë pjesë në dasmën e djalit të tij. Shfaqej në ndeshje futbolli, darkonte në restorante luksoze dhe frekuentonte kafene elitare, ndërsa refuzonte intervistat dhe buzëqeshte në mënyrë enigmatike kur fotografohej.
Kur Millosheviqi u rrëzua nga pushteti në tetor të vitit 2000 dhe autoritetet e reja pro-demokratike të Jugosllavisë sinjalizuan se mund ta dorëzonin Mladiqin në Tribunal, tabloidet raportuan se ai ishte larguar nga Beogradi drejt Bosnjës.
Por, në stilin e tij karakteristik, Mladiq i kundërshtoi këto raportime, si dhe pretendimet se ishte në gjendje terminale në Beograd. Para se të kalonte plotësisht në ilegalitet në vitin 2002, ai ishte parë vazhdimisht në publik, herë me rojet e tij e herë vetëm, duke drejtuar një veturë Yugo në rrugët e kryeqytetit.
Ai u zhduk plotësisht nga publiku në vitin 2008 dhe më në fund u arrestua në maj 2011, në një fshat pranë Beogradit, ku fshihej në shtëpinë modeste të një të afërmi.
Në gjykatën e Hagës, pamja e një të moshuari të dobët fizikisht ishte shumë larg imazhit të Mladiqit nga vitet e luftës. Megjithatë, mungesa e pendesës dhe qëndrimi i tij sfidues kishin mbetur të pandryshuara.
“Gjithçka që thatë është gënjeshtër e pastër. Turp t’ju vijë!”, u bërtiti ai gjyqtarëve të OKB-së kur ata shpallën vendimin.
Mladiq ishte në gjendje të dobët shëndetësore që në kohën e arrestimit më 2011. Besohet se kishte pësuar disa goditje në tru gjatë viteve në arrati dhe ishte shtruar disa herë në spital gjatë kohës që ndodhej në paraburgim/AP

The post “Kasapi i Bosnjës”, kush ishte Ratko Mladiç, njeriu që drejtoi masakrën e vrasjes së 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë appeared first on Euronews Albania.
