Ligjvënësit e Bashkimi Evropian kanë rënë dakord të thjeshtojnë Aktin e Inteligjencës Artificiale, ligjin historik që u konsiderua si rregullorja më e rreptë në botë për IA-në kur hyri në fuqi në gusht 2024. Ndryshimet e reja po shihen nga mbështetësit si një hap pragmatik për të ulur burokracinë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ato mund të favorizojnë kompanitë e mëdha të teknologjisë.
Më 7 maj, qeveritë e BE-së dhe ligjvënësit e Parlamentit Evropian arritën marrëveshje për të ashtuquajturin “omnibus i IA-së”, një paketë amendamentesh në kuadër të nismës më të gjerë për thjeshtimin dixhital. Qëllimi kryesor është reduktimi i procedurave administrative, shmangia e mbivendosjes së rregullave dhe krijimi i më shumë fleksibilitetit për bizneset, pa ndryshuar bazën e ligjit të ndërtuar mbi riskun.
Rregullorja e re parashikon shtyrje të afateve, kufizim të disa detyrimeve dhe ndryshime në mënyrën se si do të zbatohet legjislacioni për Inteligjencën Artificiale në Evropë. Sipas mbështetësve, këto ndryshime do të ndihmojnë kompanitë evropiane të konkurrojnë më mirë në tregun global dhe të shmangin barrën e tepërt rregullatore.
Megjithatë, kritikët argumentojnë se lehtësimet mund të dobësojnë mbrojtjen për qytetarët dhe të krijojnë më shumë hapësirë për kompanitë e mëdha teknologjike që të shmangin përgjegjësitë. Ata paralajmërojnë se ndryshimet mund të zbehin ambicien fillestare të BE-së për të vendosur standarde globale në fushën e Inteligjencës Artificiale.
Pavarësisht debateve, marrëveshja sinjalizon një ndryshim të qasjes së Evropës ndaj rregullimit të teknologjisë, duke tentuar të balancojë inovacionin me mbikëqyrjen ligjore.
The post BE lehtëson rregullat për Inteligjencën Artificiale, çfarë përmbajnë ndryshimet appeared first on Euronews Albania.
