Gjashtë dekada pas krijimit është vënë për herë të parë më skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, opera “Fundi i Golemëve” duke rikthyer në jetë një nga krijimet më monumentale të muzikës shqiptare.
“Është premierë absolute në të gjithë komponentët e saj, nga produksioni te muzika, rolet. Do të këndohet shqip”, tha Aulon Naçi, drejtor i TKOB.
Me kompozimin Nikolla Zoraqit dhe me libret të Kolë Jakovës, bazuar në tregimin e shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi “Ditët e sprasme të Gjorg Golemit”, vepra monumentale sjell në skenë dramën, tradhtinë, dashurinë dhe fatin e një familjeje shqiptare në prag të rënies së epokës së Skënderbeut, duke rikthyer fuqishëm historinë dhe identitetin tonë kombëtar përmes muzikës operistike shqiptare.
Me një kast të pasur artistësh, “Fundi i Golemëve” vjen nën koncpetin regjisorial të Nikolin Gurakuqit dhe dirigjimin e maestros Zhani Ciko.
“Në 1963, kishte zhvillime sepse ishin vitet e para që Shqipëria shkëputej nga kampi lindor dhe që problemet ishin shumë të mprehta. Ai është bazuar në një tregim të shkrimtarit të njohur Dhimitër Shuteriqi. Ishte hera e parë që trajtoheshin tema që nuk kishin të bënin me realitetin e tregimeve shqiptare. Kol Jakova e mori dhe e ktheu në vargje”, theksoi Zhani Ciko, kompozitor.
“E kam bërë me një dashuri shumë të madhe për vetë afeksionin që kam pasur për Nikolla Zoraqin. Kam pasur marrëdhënie personale, ai më ka përkrahur”, shtoi Nikolin Gurakuqi.
Shfaqja do të vijë për publikun edhe mbrëmjen e 31 Majit.
The post “Fundi i Golemëve”! Vihet në skenë pas 6 dekadash Kryevepra e Nikollaq Zoraqit appeared first on Euronews Albania.
