Europa është gati për sfidën e fundit të këtij sezoni, kur këtë të shtunë duke filluar nga ora 18:00 në Hungari do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve. Në Puskas Arena, me kapacitet rreth 67 mijë tifozë, përballen kampionët në fuqi të UEFA Champions League, Paris Saint-Germain, dhe Arsenal i cili kërkon të fitojë për herë të parë këtë trofe.
Të dy skuadrat vijnë në këtë finale si kampione respektive të ligave të tyre, por francezët konsiderohen si favoritë ndërsa kanë rikuperuar në kohë elementë kyç si Achraf Hakimi dhe Ousmane Dembele, të cilët konsiderohen vendimtarë në skemën e lojës së parisienëve dhe në finalet e këtij niveli. Nga ana tjetër, Arsenali vjen pas një sezoni ku i dha fund krizës 22-vjeçare pa titull në Premier League, por për këtë finale do të ketë mungesa të rëndësishme si Mikel Merino dhe Ben White, ndërsa Timber dhe Madueke mbeten në dyshim deri në momentet e fundit.
Interesi për këtë finale është i jashtëzakonshëm, me rreth 20 mijë tifozë të Arsenalit që kanë udhëtuar drejt Budapestit për ta ndjekur nga afër ndeshjen, ndërsa UEFA ka përcaktuar nga 17 mijë bileta për secilin klub, duke ndarë thuajse në mënyrë të barabartë mbështetjen në tribuna dhe duke garantuar një atmosferë të zjarrtë në një nga finalet më të mëdha të viteve të fundit.
Sonte në mbrëmje, Budapesti kthehet në kryeqytetin e futbollit evropian ndërsa pyetja që shtrohet është e qartë: do të shohim një mbrojtje historike të titullit nga parizienët, apo një moment historik për londinezët?
Për Arsenalin, kjo finale nuk është thjesht një ndeshje, por një përballje me historinë. Rikthimi i tyre në një finale të Ligës së Kampionëve vjen pas një pritjeje të gjatë dhe të dhimbshme prej 20 vitesh, një periudhë që për klubin përfaqëson një nga boshllëqet më të mëdha në futbollin anglez në këtë kompeticion. Të udhëhequr nga një mentalitet i fortë dhe një ecuri mbresëlënëse pa humbje në fazat vendimtare, londinezët kërkojnë të thyejnë “mallkimin evropian” dhe të shkruajnë historinë e tyre.
Në kampin tjetër, Paris Saint-Germain nuk mbështetet vetëm te cilësia individuale dhe eksperienca në finalet e mëdha, por edhe te një motivim i shtuar që shkon përtej sportit. Sipas raportimeve, lojtarët kryesorë të ekipit si Marquinhos, Hakimi, Dembele dhe Vitinha kanë kërkuar edhe stimuj të veçantë financiarë në rast fitoreje, duke shtuar presionin dhe njëkohësisht motivimin në dhomën e zhveshjes.
Në qendër të kësaj finale do të jetë arbitri gjerman Daniel Siebert, i cili do të drejtojë për herë të parë një finale të këtij niveli në kompeticionet e UEFA-s, duke hyrë në një test të madh profesional në një natë me presion maksimal.
Në aspektin historik, kjo është një finale me peshë të veçantë. Paris Saint-Germain synon të bëhet një nga skuadrat e rralla që arrin të mbrojë titullin në epokën moderne të Champions League, ndërsa Arsenal FC kërkon trofeun e parë europian në histori, një objektiv që do të ndryshonte statusin e klubit në futbollin evropian.
Edhe statistikat historike shtojnë më shumë peshë: të dy klubet janë përballur më parë disa herë në Europë, me bilanc thuajse të barabartë, ndërsa këtë sezon PSG ka pasur një efikasitet më të lartë në sulm, duke shënuar dukshëm më shumë gola se Arsenali në rrugëtimin drejt finales.
The post PSG–Arsenal, luhet sonte në Hungari finalja e madhe e Champions League, detajet e sfidës appeared first on Euronews Albania.
