Zv.kryeministri shqiptar në RMV jep dorëheqjen, zbulohen përplasjet brenda qeverisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka njoftuar se ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni i tij si zëvendëskryeministër i ngarkuar për Qeverisjen e Mirë.

Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se vendimin ia ka dorëzuar kryeministrit të vendit dhe se ai është marrë pas një reflektimi të thellë mbi rrethanat aktuale.

“Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë”, shkroi Fetai.

Ai vlerësoi se gjatë dy viteve në detyrë ka pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbejë vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës.

Fetai pranoi se jo të gjitha objektivat janë arritur, por theksoi se ka punuar me përkushtim maksimal për të vendosur baza të qëndrueshme për vazhdimin e reformave në të ardhmen.

“A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po”, u shpreh ai.

Në mesazhin e tij, Fetai tha se largohet nga posti me “kokën lart dhe ndërgjegje të pastër”, duke e cilësuar dorëheqjen si një vendim të mirëmenduar dhe dinjitoz në rrethanat aktuale.

Ai falënderoi ekipin e tij, partnerët ndërkombëtarë, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë ushtrimit të mandatit, ndërsa theksoi se angazhimi i tij në shërbim të interesit publik do të vazhdojë edhe jashtë funksioneve institucionale.

“Shërbimi ndaj interesit publik nuk mbaron kur mbaron funksioni. Përkundrazi, ai vazhdon kudo ku ka nevojë për integritet, kurajë dhe zëra të lirë në mbrojtje të së mirës së përbashkët”, përfundoi Fetai.

Kryeministri Mickoski konfirmoi dorëheqjen e Arben Fetait. Se kush do të ulet në kolltukun e Fetait, Mickoski tha se do të vendoset pas konsultimeve me partnerët e koalicionit Pa dhënë detaje, kryeministri tha se rikonstruimi i qeverisë do të ndodh këtë muaj.

“Z. Fetai dha dorëheqje, do të arkivohet nesër. E dini se në qershor na pret rikonstruimi i qeverisë, do të bisedojmë me partnerët e koalicionit tanë në kuadër të qeverisë. Në dorëheqjen e tij falënderohet për bashkëpunimin me mua si kryetar i qeverisë, me kolegët në kuadër të qeverisë, tha se ka qenë kënaqësi për të…” – tha Mickoski.

The post Zv.kryeministri shqiptar në RMV jep dorëheqjen, zbulohen përplasjet brenda qeverisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: