Senati në Romë ka miratuar një ligj të ri që e bën të detyrueshëm pëlqimin e prindërve për orët e edukimit seksual në shkollat e mesme dhe të larta të Italisë. Ligji i ri nuk parashikon orë të tilla në shkollat fillore.
“Kjo do t’i japë peshë mendimit të prindërve dhe do të kufizojë të ashtuquajturën propagandë të kulturës gjinore, duke respektuar atë që përcakton Kushtetuta jonë”, tha Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara. Pikëpamja e tij ndahet nga organizatat konservatore katolike që kundërshtojnë të drejtën për abort.
Megjithatë, të gjitha partitë opozitare e konsiderojnë këtë një pengesë serioze , e cila do të konsolidojë dallimet midis familjeve me një qasje më të hapur dhe gjithëpërfshirëse dhe atyre që e konsiderojnë edukimin seksual të panevojshëm ose edhe të rrezikshëm.
Sipas të dhënave nga shoqata italiane “Save The Children”, tani vetëm 47% e nxënësve kanë ndjekur mësime të edukimit seksual, të fragmentuara dhe me iniciativa individuale të secilës shkollë. “Me këto të dhëna të reja, aleanca themelore pedagogjike e shkollave me familjet e nxënësve rrezikon të dobësohet edhe më tej”, nënvizojnë drejtuesit e shoqatës.
The post Italia kërkon pëlqimin e prindërve për edukimin seksual në shkolla appeared first on Euronews Albania.
