Ish-presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, deklaroi se ka pritshmëri shumë pozitive për zgjedhjet që do të mbahen të dielën.
‘‘Kemi marrë shumë përkrahje, jam me pritshmëri shumë pozitive për atë që do të ndodhë të dielën. i falënderoj të gjithë qytetarët, nuk kemi mbet pa shku askund, edhe pse koha e shkurtër, i kërkoj falje atyre qytetarëve që nuk arritëm t’i takojmë përkundër kërkesave”, ka thënë Osmani, e ftuar në Pressing në T7.
Ndërsa e konsideroi si garë komplet e pabarabartë, Osmani tha se nga ana e Qeverisë Kurti ka pasur një propagandë massive, e cila ka dëmtuar shumë procesin.
‘‘Në fakt kjo vërtetë është komplet e pabarabartë për dy arsyje, e para për shkak të një propagande masive e cila e ka dëmtuar edhe vetë integritetin e procesit zgjedhor. Dhe e dyta, ka të bëjë me këtë, ne nuk jemi kundër shtesave përkundrazi, në qeverisjen tonë, jo vetëm t’i vazhdojmë ato e t’i rrisim, por edhe të garantohen me ligj. Ajo çfarë ka ndodhur tani, keqpërdorimi i një instrumenti të tillë shtetëror është i ndaluar në shumicën dërmuese të shteteve evropiane’’, ka thënë Osmani.
Të dielën e 7 qershorit, rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë ftuar të votojnë prapë për të zgjedhur legjislaturën e 11-të të Kosovës.
Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe u mbyllë me votimin e 28 dhjetorit. Por vetëm pas pak muajsh, po votohet sërish, më 7 qershor.
Pas zgjedhjeve të rregullta për Kuvend, të mbajtura në shkurtin e vitit 2025, dy proceset tjera zgjedhore që pasuan, më 28 dhjetor dhe 7 qershor, vijnë si pasojë e mungesës së konsensusit politik për konstituimin e institucioneve shtetërore.
The post Nesër mbahen zgjedhjet në Kosovë, ish-presidentja Osmani: Kam pritshmëri të lartë, po vjen ndryshimi appeared first on GIJOTINA.
