Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në veri të vendit, pas një rasti kanosjeje të raportuar disa ditë më parë ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas njoftimit zyrtar, pas informacioneve të siguruara dhe veprimeve hetimore, janë kryer bastisje në dy lokacione në territorin e komunës së Zubin Potok.
Policia bën me dije se kanosja dyshohet të jetë kryer nga një shtetas kosovar i nacionalitetit serb. Gjatë kontrolleve në dy lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar katër armë të gjata të llojeve të ndryshme.
Në njërin lokacion janë gjetur tri armë, ndërsa në lokacionin tjetër një armë. Sipas autoriteteve, dy prej armëve posedoheshin me leje, ndërsa dy të tjera pa leje.
Personi i dyshuar për kanosjen ndaj ministrit Sveçla dyshohet se ndodhet jashtë Kosovës.
Armët janë sekuestruar nga njësitë përkatëse policore, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.

The post Bastisje në veri të Kosovës pas kanosjes së ministrit Sveçla, policia sekuestron 4 armë appeared first on Euronews Albania.
