Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të premte ka folur për procesin e numërimit të votive si dhe formimin e institucioneve të reja. Kurti para gazetarëve u shpreh se procesi i numërimit të votive është drejt fundit ndërsa shtoi se më pas do të bisedojnë për hapat e ardhshëm.
Për zgjedhjen e presidentit, Kurti u shpreh se ky proces kërkon bashkëpunim me opozitën, në përputhje me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Për zgjedhjen e presidentit duhet bërë bashkëpunim me opozitën, pasi kërkohet që 80 deputetë të marrin pjesë në votimin e fshehtë”, tha ai.
Kurti shtoi se LVV-ja mbetet e gatshme për komunikim dhe bashkëpunim politik. Sipas tij, Vetëvendosja ka pasur vazhdimisht iniciativa dhe angazhim.
“Ne kemi qenë të vullnetshëm dhe të interesuar për komunikim e bashkëpunim. Kemi propozuar takime dhe bashkëqeverisje me LDK-në, por këto iniciativa janë refuzuar”, tha Kurti.
“Shpresojmë që kësaj radhe do të jetë ndryshe dhe se do të shohim më shumë konstruktivitet nga opozita për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të”, shtoi ai.
The post Kurti për zgjedhjen e presidentit: Duhet bërë bashkëpunim me opozitën appeared first on Euronews Albania.
