Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar një burrë me gjashtë vjet burgim për akuzat se kishte spiunuar për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, për më shumë se 15 vjet.
Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Leon Përlaska e shpalli Hysri Selimin fajtor për spiunazh gjatë një seance të hënën në mëngjes.
Selimi, i cili ka qenë i dënuar më parë në Kosovë për pjesëmarrje në organizata terroriste, nuk ishte i pranishëm në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit, raporton Betimi për Drejtësi.
Ai i ka mohuar akuzat për spiunazh dhe ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare në shtator 2025.
Selimi ngarkohej se kishte bashkëpunuar me BIA-n serbe nga nëntori i vitit 2009, e deri në kohën e arrestimit më 6 maj 2025.
Ai gjithashtu kishte “udhëtuar në Siri, duke iu bashkuar organizatës terroriste ISIS” në fund të vitit 2015.
Selimi ngarkohej se u kishte dërguar të dhëna zyrtarëve të BIA-së në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në Shtetin Islamik (IS), organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.
“Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell të dhëna tjera të rëndësishme”, thuhet në aktakuzë.
The post Gjykata në Prishtinë e dënon Hysri Selimin me 6 vjet burgim për spiunazh për Serbinë appeared first on Euronews Albania.
