Mali i Zi hedh poshtë akuzat e Vuçiçit se zhvillon luftë hibride kundër Serbisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i përshkroi si të pabazuara akuzat se Podgorica zhvillon luftë hibride kundër Serbisë, duke vlerësuar se deklaratat e tilla pasqyrojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike në Beograd për ta pranuar Malin e Zi si shtet sovran.

Reagimi erdhi pas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se Mali i Zi dhe mediat e tij marrin pjesë në veprime hibride kundër Serbisë.

Përmes një deklarate të postuar në platformën X, ministria malazeze vlerësoi se deklaratat e shpeshta nga shteti fqinj dëshmojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike për ta pranuar Malin e Zi si një shtet sovran dhe të barabartë, e jo si një hapësirë që duhet t’u rikthehet qendrave të imagjinuara politike.

Ajo shtoi se deklaratat e tilla, zakonisht, intensifikohen sa herë që Mali i Zi bën hapa para në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kur afrohen zgjedhjet.

“Ia lëmë publikut të vlerësojë nëse deklaratat e tilla duhen parë si hyrje në fushata të reja dezinformimi dhe presionesh politike, apo si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet që nuk kanë asnjë lidhje me Malin e Zi”, thuhet në deklaratë.

The post Mali i Zi hedh poshtë akuzat e Vuçiçit se zhvillon luftë hibride kundër Serbisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: