Gjesti i diskutueshëm i gjyqtarit në Botëror, FIFA del me vendim zyrtar

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

FIFA ka vendosur të mos marrë masa disiplinore ndaj arbitrit australian Shaun Evans, pasi një hetim i hapur për një gjest të bërë gjatë një transmetimi televiziv në Kupën e Botës 2026 nuk gjeti prova për shkelje të rregulloreve.

Evans, i cili ishte në detyrën e ndihmësit të gjyqtarit video mbështetës gjatë ndeshjes mes Gjermanisë dhe Curacaos, u pa duke formuar me dorën e djathtë një rreth me gishtin tregues dhe gishtin e madh. Gjesti u komentua në rrjetet sociale, pasi në raste të caktuara është lidhur me grupe ekstremiste të së djathtës së skajshme.

Pas shqyrtimit të rastit, Komiteti i Pavarur Disiplinor i FIFA-s njoftoi se nuk ka gjetur prova që arbitri australian të ketë shkelur Kodin Disiplinor të organizatës. Në deklaratën zyrtare thuhet se hetimi nuk ka konstatuar elemente që do të justifikonin ndonjë sanksion.

“Komiteti i pavarur disiplinor i FIFA-s mund të konfirmojë se, pas shqyrtimit të çështjes që përfshinte ndihmësin e gjyqtarit mbështetës të videos Shaun Evans, nuk ka gjetur prova për shkelje të Kodit Disiplinor të FIFA-s”, thuhet në deklaratën e lëshuar nfa FIFA.

Edhe vetë Evans mohoi çdo qëllim të fshehtë pas veprimit të tij, duke sqaruar se lëvizja ishte “e pavullnetshme dhe nënndërgjegjeshme”. Ai theksoi se nuk ka bërë me vetëdije asnjë simbol për të përcjellë ndonjë mesazh, përkatësi apo bindje dhe shprehu keqardhje për mënyrën se si gjesti është interpretuar nga publiku.

The post Gjesti i diskutueshëm i gjyqtarit në Botëror, FIFA del me vendim zyrtar appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: