Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet për javën e fundit të futbollit shqiptar, ku në fokus janë gjobat për Laçin, Vllazninë, Tiranën dhe Skënderbeun, si dhe pezullimet për disa zyrtarë e lojtarë.
KF Laçi është dënuar me 100 000 lekë gjobë për mosmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për sjelljen e gabuar të spektatorëve, të cilët kanë hedhur sende në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e lojtarëve të ekipit kundërshtar.
KF Vllaznia është dënuar me 50 000 lekë gjobë për hedhjen e sendeve në fushën e lojës nga spektatorët. Ndërkohë, lojtari i Vllaznisë, Adnard Mehmeti, është pezulluar për 2 ndeshje për provokim të spektatorëve.
Edhe Skënderbeu është dënuar me 100 000 lekë gjobë, për shkak të ndezjes së flakadanëve dhe hedhjes së sendeve në fushën e lojës nga tifozët.
KF Tirana është dënuar me 50 000 lekë gjobë për ndezjen e flakadanëve dhe mjeteve të tjera piroteknike nga spektatorët. Zyrtari i klubit, Omer Bunjaku, është pezulluar për 2 ndeshje për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes.
Ndërkohë, një nga dënimet më të rënda i është dhënë zyrtarit të Vorës, Bazion Tragaj, i cili është pezulluar për 8 ndeshje për sjellje josportive të përsëritur ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Në zbatim të vendimit, atij i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit deri në përfundimin e dënimit.
Komisioni ka paralajmëruar gjithashtu KF Teutën se, në rast përsëritjeje të problematikave teknike apo organizative që shkaktojnë ndërprerjen e zhvillimit normal të ndeshjes, klubi do të jetë subjekt i masave disiplinore të parashikuara në Kodin e Disiplinës dhe Etikës dhe në rregulloret e FSHF-së.
KF Oriku është dënuar me 50 000 lekë gjobë për shkak të vonesës në fillimin e ndeshjes, ndërsa zyrtarët e Luzi Vogël 2008, Albert Lusha, dhe të KF Shiroka, Ardit Mani, janë pezulluar për nga 4 ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Zyrtari tjetër i Shirokës, Ergi Axhani, është pezulluar për 2 ndeshje për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes.
Akademia e Futbollit U-18 është dënuar me 100 000 lekë gjobë dhe humbjen në tavolinë me rezultatin 3-0 të ndeshjes ndaj Vora U-18, për mospërmbushje të detyrimeve dhe përgjegjësive që shkaktuan braktisjen e takimit.
Bllokohet merkatoja për 6 klube
Komisioni i Disiplinës ka vendosur gjithashtu ndalimin e regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 periudha regjistrimi për gjashtë klube, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve të përcaktuara në vendimet e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve.
Për KF Tiranën, masa lidhet me moszbatimin e vendimeve në çështjet e Romeo Harizajt dhe Gledi Micit.
Edhe KF Vllaznia është ndëshkuar me të njëjtën masë për moszbatimin e vendimit në çështjen e Liridon Latifit.
Bllokimi i merkatos është vendosur gjithashtu për FC Besën, për moszbatimin e vendimeve në çështjet e Emiljano Çelës dhe Bekim Kulit, si dhe për KF Lushnjën, në çështjen e Ardit Hoxhajt.
Përveç këtyre masave, KF Tirana ka marrë edhe tre afate paralajmëruese prej 30 ditësh për ekzekutimin e vendimeve në çështjet e Kleandro Lleshit, Fatmir Prengajt dhe Erisildo Smaçit.
Ndërsa KF Vllaznia ka marrë një afat paralajmërues prej 30 ditësh për ekzekutimin e vendimit në çështjen e Ildi Grudës.
Komisioni ka pranuar edhe kërkesat e lojtarëve të KF Iliria, Brajan Selmani, dhe KF Oriku, Bruno Telushi, duke pezulluar pjesën e mbetur të dënimit me kusht për një periudhë 6-mujore.
Në vendimet e tjera, Komisioni ka rrëzuar kërkesat e lojtarëve Nelson Joseph Pius të Lushnjës, Igli Rrapit të Burrelit dhe Klejdi Gjinit të Tiranës U-18.
Kundër vendimeve lejohet ankim brenda 3 ditëve pranë Komisionit të Apelit.
The post Gjoba dhe pezullime në futbollin shqiptar, 6 klubeve u bllokohet merkatoja appeared first on Euronews Albania.
