Me përfundimin e numërimit të votave me postë nga diaspora, Vetëvendosje ka siguruar edhe një mandat shtesë, duke arritur në 53 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Në ndarjen e re të mandateve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 18 deputetë, ndërsa PDK mbetet në vendin e dytë me 22 mandate, ndërsa AAK siguron 7 deputetë.
Nga zhvillimet e fundit, mandatin e deputetes nuk e ka fituar Jeta Statovci në listën e LDK-së, të propozuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani, duke ndryshuar përbërjen përfundimtare të grupit parlamentar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të rinumërojë 10% të votave në të gjitha komunat, si hap përmbyllës para certifikimit të rezultateve përfundimtare.
Pas përfundimit të procedurave dhe afateve të ankesave, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë brenda javës së ardhshme, duke hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Bllokimi institucional po ndikon edhe në proceset ekonomike dhe reformat në vend, duke shtuar presionin mbi institucionet dhe vonuar vendimmarrjen e rëndësishme.
“Vonesat nga viti i kaluar në Kuvend kanë vonuar ratifikimin e marrëveshjeve dhe zbatimin e reformave. Fatkeqësisht bllokada në Kuvend vazhdon edhe këtë vit”, është shprehur Jeton Zulfaj, Koordinator për Instrumentin për Reforma dhe Rritje.
Sipas vlerësimeve në takimin BE–Kosovë për Planin e Rritjes, vendi mund të humbasë deri në 60 milionë euro për shkak të vonesave në zbatimin e reformave.
Zgjedhjet e 7 qershorit shënojnë procesin e tretë parlamentar brenda 16 muajve, ndërsa mungesa e stabilitetit politik vijon të mbetet sfidë për vendin.
The post LVV merr mandatin e 53-të, hapet rruga për formimin e qeverisë me komunitetet appeared first on Euronews Albania.
