Ziadin Sela: Parlamenti Evropian e tha qartë, provimet shtetërore të jepen në gjuhën shqipe në RMV

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka reaguar për miratimin e amendamentit që parashikon që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, në raportin e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut.

Ziadin Sela fillimisht shprehet se Parlamenti Evropian e tha qartë, se provimi shtetëror duhet të jepet në gjuhën shqipe dhe nuk ka thënë se duhet një ligj i ri. Sela më tej shprehet se Marrëveshja e Ohrit duhet të respektohet në ligje dhe në frymë.

Më poshtë komenti i plotë i Ziadin Selës:

“Kur je në tokën e gjuhës tënde, në gjuhën e pragjeve tona dhe në të drejtën e gjuhës së të parëve tuaj, por mbi të gjitha kur e do gjuhën dhe kombin që të përket, je i vendosur deri në fund dhe nuk heq dorë nga ajo çka je, s’ka se si të ndodhë ndryshe.

Parlamenti Evropian e tha qartë:

Provimet shtetërore duhet të jepen në gjuhën shqipe! Nuk tha as ligj të ri, as metodologji, as rregullore, as teori e as praktikë. Dhe jo vetëm jurisprudenca, por të gjitha provimet.

Marrëveshja e Ohrit duhet të respektohet në ligje dhe në frymë! Këtë e tha Parlamenti i një Unioni ku vendi ynë synon të bëhet pjesë, në një kohë kur Qeveria aktuale, përveç gjuhës, po synon të rrënojë edhe një shtyllë tjetër të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

Çfarë doni më shumë, çfarë doni më qartë se kaq!?

Përgëzime studentëve për këtë fitore të madhe, për të cilët po ashtu Parlamenti Evropian ishte i qartë: protestat studentore nuk janë as destabilizuese dhe as të politizuara.

Beteja jonë për gjuhën duhet të vazhdojë po njësoj, e vendosur, pa kompromis, deri në barazinë e plotë të gjuhës shqipe në Kushtetutë me gjuhën maqedonase.

Respekte, djem dhe vajza!”

The post Ziadin Sela: Parlamenti Evropian e tha qartë, provimet shtetërore të jepen në gjuhën shqipe në RMV appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: