Talentet dhe strategjia e ekipeve të moshave, në fokus të takimit me Presidentin Duka

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Takimi u fokusua në analizën e ecurisë së ekipeve të moshave, rezultatet e arritura gjatë periudhës së fundit, si edhe në identifikimin e problematikave dhe aspekteve që kërkojnë përmirësim në funksion të rritjes së nivelit të futbollit shqiptar.

Gjatë diskutimeve, Presidenti Duka vuri theksin te rëndësia e ndërtimit të një strategjie të qartë dhe afatgjatë për zhvillimin e ekipeve kombëtare të moshave, duke nënvizuar nevojën për një fokus të shtuar te produkti i futbollit vendas dhe identifikimi i talenteve që vijnë nga kampionatet shqiptare.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua analizës së punës së ekipeve përfaqësuese rajonale, të cilat përbëjnë një hallkë të rëndësishme në procesin e zbulimit dhe zhvillimit të futbollistëve të rinj. U diskutuan mënyrat për të rritur efektivitetin e këtij procesi dhe për të forcuar koordinimin mes strukturave teknike në të gjitha nivelet.

Po ashtu, në qendër të diskutimeve ishte edhe ecuria e programit Elite Youth Development, një nga projektet më të rëndësishme të FSHF-së për zhvillimin e futbollit të të rinjve.

Të pranishmit analizuan progresin e deritanishëm të akademisë dhe perspektivën e saj për vitet e ardhshme, me synimin për të përgatitur dhe prodhuar brezat e ardhshëm të talenteve që do të përfaqësojnë futbollin shqiptar në nivelet më të larta.

Presidenti Duka vlerësoi punën e trajnerëve dhe stafit teknik në të gjitha kategoritë e moshave, duke theksuar se zhvillimi i futbollistëve të rinj mbetet një nga prioritetet strategjike të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ai kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat e përfshira në këtë proces, me qëllim rritjen e cilësisë së punës, përmirësimin e rezultateve sportive dhe krijimin e një baze sa më të fortë për të ardhmen e ekipeve kombëtare.

The post Talentet dhe strategjia e ekipeve të moshave, në fokus të takimit me Presidentin Duka appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: