Zvicra konfirmon shtyrjen e bisedimeve SHBA-Iran

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që ishin paraparë të zhvilloheshin më 19 qershor në resortin malor të Burgenstokut nuk do të zhvillohen siç ishin planifikuar, tha Ministria e Jashtme zvicerane përmes një njoftimi të premten.

“Bisedimet e planifikuara mes SHBA-së, Iranit, Katarit dhe Pakistanit janë shtyrë”, u tha në njoftim.

“Zvicra mbetet e gatshme të lehtësojë këto bisedime. Puna përgatitore në Burgnstok po vazhdon. Aktualisht nuk mund të ofrohen informacione të tjera”, u shtua.

Njoftimi vjen pasi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha gjatë natës se nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka anuluar udhëtimin e planifikuar për në Zvicër, ku parashihej që të takohej me negociatorët iranianë për të nisur bisedimet për një marrëveshje të paqes për t’i dhënë fund luftës.

Shtëpia e Bardhë përmendi sfida logjistike për shtyrjen e udhëtimit të Vance.

Duke përmendur çështje “logjistike”, Shtëpia e Bardhë tha se nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka shtyrë udhëtimin e tij për në Zvicër për bisedime të drejtpërdrejta me Iranin, që ishin paraparë të mbaheshin më 19 qershor.

Bisedimet e 19 qershorit u parapanë të nisnin dy ditë pasi presidentët e të dyja shteteve nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që synon përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.

“Logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, raportoi AFP-ja në orët e vona të 18 qershorit.

“Deri tani, nënpresidenti nuk do të niset sonte. Presim me padurim që të fillojmë bisedimet teknike sa më shpejt të jetë e mundur”.

The post Zvicra konfirmon shtyrjen e bisedimeve SHBA-Iran appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: