INSTAT: 1,5 milionë vizitorë në institucionet e trashëgimisë kulturore gjatë 2025-ës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Sektori i kulturës ka shënuar zhvillime pozitive gjatë vitit 2025, duke reflektuar rritje të pjesëmarrjes së publikut në aktivitete artistike.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2025 në institucionet qendrore të artit u organizuan 1 272 shfaqje dhe premiera, të cilat u ndoqën nga 171 607 spektatorë.

Referuar statistikave, gjatë vitit 2025 u zhvilluan 314 aktivitete kulturore me pjesëmarrje ndërkombëtare, duke tërhequr gjithsej 261 654 pjesëmarrës. Sipas statistikave, Kosova, vendet e Bashkimit Evropian dhe Arabia Saudite shënuan numrin më të lartë të aktiviteteve dhe pjesëmarrësve.

Prania e artistëve të huaj në jetën kulturore të vendit u zgjerua ndjeshëm. Në aktivitetet kulturore të zhvilluara në Shqipëri morën pjesë 428 artistë të huaj, ku pjesën më të madhe e zinin artistët nga Arabia Saudite me 29,7% të totalit. Ata ndiqeshin nga artistët nga Kosova me 11,7% dhe nga Italia me 9,8%.

Një nga treguesit më domethënës të vitit ishte rritja e interesit për trashëgiminë kulturore. Numri i vizitorëve në muze, parqe arkeologjike dhe institucione të tjera të trashëgimisë kulturore arriti në 1 523 587 persona, ose 15,9% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Edhe arsimi i lidhur me kulturën vazhdon të mbetet një zgjedhje e rëndësishme për të rinjtë. Në vitin akademik 2025-2026, në programet e studimit që lidhen me kulturën u regjistruan 16 111 studentë.

Sektori kulturor vijon gjithashtu të japë kontribut në tregun e punës. Sipas INSTAT-it, gjatë vitit 2025 në aktivitetet dhe profesionet e lidhura me kulturën ishin të punësuar 33 893 persona, ose 3% e totalit të të punësuarve në vend.

Sa i përket kostos së mallrave dhe shërbimeve kulturore, rritja më e lartë e çmimeve është regjistruar në kategorinë “Librat”, me 2,9% krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se shpenzimet publike për Argëtim, Kulturë dhe Çështje Fetare përbënin 1,65% të shpenzimeve publike gjithsej dhe 0,50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke dëshmuar rolin e kulturës në politikat publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

The post INSTAT: 1,5 milionë vizitorë në institucionet e trashëgimisë kulturore gjatë 2025-ës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: