PDK dorëzon kërkesën: Seanca konstituive të mbahet të premten në orën 11:00

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Partia Demokratike e Kosovës kërkon që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet të premten në orën 11:00.

Deputetët e kësaj partie kanë dorëzuar një kërkesë te kryesuesi i seancës, Avni Dehari, teksa i kanë bërë thirrje liderit të LVV-së, njëherësh kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që ta lejojë deputetin më të moshuar të legjislaturës së njëmbëdhjetë për të thirrur seancën

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se edhe pse është shkelur afati për konstituimin e Kuvendit, ata, si deputetë të zgjedhur, e kanë detyrim funksionalizimin e Kuvendit qoftë edhe pas afatit 30-ditor, pasi mosrespektimi i tij nuk e shpërndan Kuvendin.

“Sapo kemi dorëzuar kërkesën në emër të PDK-së te kryesuesi Avni Dehari për mbajtjen e vazhdimit të seancës konstituive për nesër, më datë 14 gusht, në orën 11:00, siç kërkon Rregullorja e Kuvendit të Kosovës. Rregullorja, siç dihet, kërkon që të ketë vazhdim të mbledhjes çdo 48 orë. Ne kemi dorëzuar këtë kërkesë për të kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ju e dini se afati për konstituimin e Kuvendit ka kaluar, është shkelur Kushtetuta dhe është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, por, siç ka konstatuar Kushtetuesja, shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin që kemi ne si deputetë për ta konstituar Kuvendin qoftë edhe pas afatit kushtetues, pasi Gjykata ka thënë se mosrespektimi i afatit nuk e shpërndan Kuvendin. Kuvendi duhet të konstituohet me çdo rast dhe ne jemi deputetë të betuar. Deputetë me mandat dhe funksion të plotë dhe këtë po na pamundëson LVV-ja. Unë nga këtu, në emër të PDK-së, i bëj thirrje deputetit Albin Kurti që ta lejojë zotërinë Dehari që ta thërrasë mbledhjen e Kuvendit”, tha ai.

The post PDK dorëzon kërkesën: Seanca konstituive të mbahet të premten në orën 11:00 appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: