Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar të enjten me aksionet e saj në shenjë kundërshtimi ndaj moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, mes të cilave ka dorëzuar edhe zyrtarisht një kërkesë për thirrjen e seancës konstituive nesër në orën 11:00.
Aksionet e së enjtes filluan me qëndrimin e disa deputetëve të saj para ndërtesës së Qeverisë, ku akuzuan kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po “uzurpon” institucionin dhe kërkuan që ai të kthehet në Kuvend.
Më vonë, deputetët e PDK-së u zhvendosën në objektin e Kuvendit, prej ku deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, njoftoi për dorëzimin e kërkesës edhe zyrtarisht.
Aksionet e PDK-së janë pjesë e presionit që kjo parti, bashkë me Aleancën, po ushtron për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe përfundimin e procesit të themelimit të legjislaturës së re.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë të mërkurën se kërkesa për vazhdimin e seancës është “e drejtë”.
“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj.
Sipas tij, Kushtetuta nuk parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit pas kalimit të afatit 30-ditor.
“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.
Kosova mbetet pa Kuvend të konstituuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht. Lidhur me këtë afat, 14 organizata joqeveritare iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese të mërkurën.
The post PDK-ja dorëzon kërkesë për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit appeared first on Euronews Albania.
