Belgjika shkatërron Zelandën e Re, siguron kreun e Grupit G me “manita”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Belgjika ka mbyllur me fitore bindëse fazën e grupeve në Kupën e Botës, duke triumfuar 5-1 ndaj Zelandës së Re dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e 32 skuadrave më të mira si kryesuese e Grupit G.

“Djajtë e Kuq” dominuan sfidën që nga minuta e parë, duke kërkuar të shmangnin çdo surprizë. Leandro Trossard hapi serinë e golave në minutën e 28-të, pasi më herët kishte rrezikuar portën kundërshtare. Belgjika pati edhe një penallti të akorduar, por vendimi u anulua pas rishikimit me VAR.

Në pjesën e dytë, Trossard realizoi golin e dytë personal, ndërsa Kevin De Bruyne thelloi avantazhin në minutën e 66-të. Zelanda e Re shkurtoi përkohësisht diferencën me Elijah Just në minutën e 84-t, por reagimi belg ishte i menjëhershëm.

Romelu Lukaku shënoi me kokë vetëm dy minuta më vonë, duke u bërë golashënuesi më i mirë i Belgjikës në historinë e Kupës së Botës me gjashtë gola. Në kohën shtesë, Alexis Saelemaekers vulosi rezultatin përfundimtar 5-1.

Takimi ishte gjithashtu i veçantë për portierin Thibaut Courtois, i cili regjistroi paraqitjen e tij të 18-të në një Botëror me kombëtaren belge, duke vendosur një rekord.

Me këtë sukses, Belgjika e mbyll fazën e grupeve në vendin e parë të Grupit G falë golavarazhit më të mirë se Egjipti, ndërsa Zelanda e Re e përfundon aventurën në turne me vetëm një pikë.

Rezultati:

Zelandë e Re 1-5 Belgjikë

Shënuesit: Just 84′ / Trossard 28′, 50′, De Bruyne 66′, Lukaku 86′, Saelemaekers 90+4′.

The post Belgjika shkatërron Zelandën e Re, siguron kreun e Grupit G me “manita” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: