Humbja në Botëror ndez revoltën, tifozët kërkojnë largimin e trajnerit të Koresë së Jugut

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një peticion për shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit të Kombëtares së Koresë së Jugut, Hong Myung-bo, është nisur pas humbjes 1-0 ndaj Afrikës së Jugut në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026. Revolta e tifozëve vjen pas një turneu zhgënjyes, ku skuadra grumbulloi vetëm një fitore dhe dy humbje, duke rrezikuar eliminimin.

Peticioni është publikuar në platformën e peticioneve të Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut dhe kërkon jo vetëm largimin e trajnerit, por edhe ndryshime në mënyrën e emërimit të drejtuesve të kombëtares.

Në tekstin e peticionit thuhet se, pavarësisht se Koreja e Jugut kishte një nga skuadrat më të forta në historinë e saj, paraqitja në Botëror ishte zhgënjyese. Humbja ndaj Afrikës së Jugut përshkruhet si “një nga performancat më të dobëta të një skuadre koreane në historinë e Kupës së Botës”. Gjithashtu kërkohet ndalimi i emërimeve të trajnerëve duke anashkaluar organet zyrtare të federatës.

Zemërimi i tifozëve u shtua edhe nga vendimi i Hong Myung-bo për të lënë në stol kapitenin Son Heung-min në ndeshjen ndaj Afrikës së Jugut. Trajneri deklaroi më pas se zgjedhja ishte taktike dhe synonte ta aktivizonte sulmuesin në pjesën e dytë, për të përfituar nga lodhja e kundërshtarëve, por strategjia nuk dha rezultat.

Peticioni ka siguruar tashmë mbi 100 mbështetje, minimumi i nevojshëm për shqyrtimin fillestar nga Asambleja Kombëtare. Nëse publikohet zyrtarisht dhe mbledh të paktën 50 mijë firma brenda 30 ditëve, ai do t’i kalojë komisionit parlamentar përkatës për shqyrtim.

The post Humbja në Botëror ndez revoltën, tifozët kërkojnë largimin e trajnerit të Koresë së Jugut appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: