Dy vjet pa gjeniun e letërsisë shqipe, Ismail Kadare

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Dy vjet më parë, u nda nga jeta Ismail Kadare, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë shqipe, por edhe personaliteti që i dha kulturës shqiptare dimension të ri në hapësirën evropiane dhe botërore.

Shkrimtari lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Ismail Kadare u shndërrua në zërin më të njohur të letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke e bërë atë pjesë të dialogut universal të ideve, historisë dhe qytetërimit.

Karriera e tij i kapërceu kufijtë e Shqipërisë, me romanin e vitit 1963, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, edhe pse vendi përjetonte izolimin e regjimit komunist. Por karriera e tij njohu dhe kulme të tjera me romane si “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” etj. Trashëgimia që Ismail Kadare la pas, përbën një nga pasuritë më të çmuara kulturore të kombit shqiptar. Letërsia e Kadaresë ka ushtruar një ndikim të thellë në zhvillimet kulturore, letrare dhe intelektuale të Shqipërisë, duke formësuar ndërgjegjen kulturore të brezave dhe duke afirmuar identitetin shqiptar përmes fuqisë së fjalës artistike.

Ai u dekorua nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar u bë anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Në tetor 2023 presidenti francez Emmanuel Macron, në Tiranë, e ngriti në gradën e Oficerit të Lartë, në Urdhrin e Legjionit të Nderit.

Ai u vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj.), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë.

The post Dy vjet pa gjeniun e letërsisë shqipe, Ismail Kadare appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: