Ish-mbrojtësi i Bayern Munich dhe i Kombëtares së Francës, Willy Sagnol, ka vlerësuar maksimalisht paraqitjet e Michael Olise, duke e cilësuar si futbollistin më të mirë në botë në këtë moment.
Në një intervistë për “BILD”, Sagnol u shpreh se ylli i Bayern Munich është përpara çdo lojtari tjetër aktual dhe se duhet të fitojë “Topin e Artë” në fund të vitit.
“Olise është më i miri në botë, shumë përpara të gjithëve të tjerëve. Nëse ai nuk e fiton Topin e Artë, atëherë diçka seriozisht nuk shkon me futbollin”, deklaroi ai.
Sagnol vlerësoi veçanërisht frymën kolektive të 24-vjeçarit, duke thënë se ai luan për skuadrën dhe jo për statistikat personale.
Ai e krahasoi Olise edhe me legjendën franceze Zinedine Zidane, ndërsa theksoi se, ndryshe nga Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, të cilët sipas tij kanë qenë gjithmonë të fokusuar edhe te statistikat individuale, mesfushori i Bayernit mendon në radhë të parë për ekipin.
“Zinedine Zidane ishte i njëjtë. Messi dhe Ronaldo janë të jashtëzakonshëm, por Olise është një lojtar i vërtetë ekipi”, shtoi Sagnol.
Edhe pse ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në Kupën e Botës 2026, Michael Olise ka qenë vendimtar për Francën, duke regjistruar gjashtë asistime në katër ndeshje dhe duke u shndërruar në një nga lojtarët më të spikatur të turneut.
The post Sagnol: Michael Olise është futbollisti më i mirë në botë, meriton “Topin e Artë” appeared first on Euronews Albania.
