Kombëtarja e Zvicrës ka siguruar një vend në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Algjerinë me rezultatin 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në Vancouver.
Skuadra e drejtuar nga Murat Jakin zhvilloi një paraqitje të disiplinuar taktikisht, duke kontrolluar ritmin e lojës dhe menaxhuar me qetësi avantazhin. Në fazën tjetër, Zvicra do të përballet me fituesen e sfidës mes Kolumbisë dhe Ganës.
Zviceranët zgjodhën të mbroheshin të organizuar në minutat e para, duke ia lënë posedimin Algjerisë dhe duke kërkuar hapësira për kundërsulme. Strategjia rezultoi e suksesshme që në minutën e 11-të, kur Manzambi depërtoi nga krahu i djathtë dhe harkoi në zonë, ndërsa Breel Embolo shënoi me qetësi për avantazhin 1-0.
Pavarësisht se Algjeria mbajti më shumë topin pas golit të pësuar, skuadra afrikane nuk arriti të krijonte raste të pastra, ndërsa Zvicra vazhdoi të ishte e rrezikshme në kundërsulm.
Goli që vulosi kualifikimin erdhi menjëherë në nisje të pjesës së dytë. Në minutën e 46-të, pas një rikuperimi të topit me presion të lartë, Rubin Vargas harkoi në zonë dhe, pas një devijimi të mbrojtjes algjeriane, Dan Ndoye goditi saktë për rezultatin 2-0.
Zvicra ishte pranë golit të tretë në minutën e 81-të. Pas një aksioni individual të shkëlqyer të Denis Zakaria, topi shkoi te Fabian Rieder, por gjuajtja e këtij të fundit u ndal me një pritje spektakolare nga portieri Luka Zidane.
Algjeria pati një mundësi për të rihapur ndeshjen në minutën e 49-të, por tentativa e Rijad Mahrez u bllokua nga mbrojtja zvicerane.
Deri në fund, Zvicra administroi pa probleme epërsinë dhe siguroi me meritë kualifikimin, ndërsa skuadra e drejtuar nga Vladimir Petkoviç i dha fund aventurës së saj në Botëror pa lënë gjurmë në këtë përballje.
The post Zvicra kalon në 1/8 e finales, mposht bindshëm Algjerinë me dy gola në Vancouver appeared first on Euronews Albania.
