Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën në Bruksel për të diskutuar paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë, zhvillimet në Ukrainë dhe çështje të tjera të sigurisë ndërkombëtare.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se blloku synon të arrijë marrëveshje për zgjerimin e listës së sanksioneve me 250 emra dhe se puna po vijon edhe për paketën e 21-të të masave ndëshkuese, për të cilën ende nuk ka konsensus.
Sipas Kallas, sanksionet e reja janë një reagim ndaj sulmeve të fundit të Rusisë kundër civilëve. Ajo bëri të ditur se ministrat do të trajtojnë edhe çështjen e civilëve ukrainas të ndaluar në territoret e pushtuara nga Rusia, përfshirë mësues dhe gazetarë, si dhe fatin e të burgosurve të luftës dhe fëmijëve të rrëmbyer.
Në takim u diskutua gjithashtu strategjia e BE-së për Detin e Zi, me fokus mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përballimin e kërcënimeve hibride në bashkëpunim me Bullgarinë dhe Rumaninë. Po ashtu, pritet miratimi i një misioni të ri partneriteti për Armeninë, me synim forcimin e kapaciteteve të saj kundër ndërhyrjeve hibride dhe manipulimit të informacionit.
Në axhendë ishte edhe situata në Lindjen e Mesme, përfshirë zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit. Kallas theksoi se liria e lundrimit në këtë rrugë strategjike duhet të respektohet dhe se nuk duhet të vendosen tarifa apo kufizime për qarkullimin detar.
The post Bashkimi Evropian diskuton sanksione të reja ndaj Rusisë, shkak sulmet e fundit appeared first on Euronews Albania.
