Arti dhe kultura fierake kanë humbur një nga figurat e tyre më të dashura. Është ndarë nga jeta aktori dhe humoristi i njohur Todi Llupi, ikona e Estradës së Fierit dhe një prej emrave më të spikatur të humorit shqiptar.
Me një karrierë që u shtri për më shumë se pesë dekada, Todi Llupi la një trashëgimi të vyer në skenën shqiptare. Përmes roleve të tij plot humor, personazheve autentike dhe interpretimit mjeshtëror të dialektit myzeqar, ai fitoi zemrat e publikut dhe u kthye në një simbol të estradës shqiptare.
Ai iu bashkua Estradës së Fierit në vitin 1971, ku ndërtoi një karrierë të suksesshme, ndërsa interpretoi edhe në disa filma artistikë. Rolet e tij mbeten ndër më të dashurat për publikun dhe do të kujtohen si pjesë e historisë së humorit shqiptar.
Në vitin 1989, Todi Llupi u nderua me titullin “Artist i Merituar”, në vlerësim të kontributit të tij të shquar në artin dhe kulturën shqiptare.
Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh në skenën artistike, ndërsa kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë përherë në memorien e publikut.
The post Ndahet nga jeta ikona e humorit Todi Llupi appeared first on Euronews Albania.
