Shqipëria ka një nga rrjetet më të dendura të farmacive në raport me popullsinë, por qytetarët vazhdojnë të përballojnë një pjesë të madhe të kostos së barnave nga xhepi. Sipas një raporti të Bankës Botërore për sektorin shëndetësor, vendi ka rreth 3 farmaci private për çdo 10 mijë banorë, më shumë se mesatarja prej 2.1 farmacish në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në vitin 2018 kishte 10.9 punonjës farmaceutikë për çdo 10 mijë banorë, krahasuar me mesataren evropiane prej 6.7. Në vitin 2023, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor kishte kontrata me 822 farmaci private, 42 agjenci farmaceutike, 15 distributorë dhe 43 importues barnash.
Raporti thekson se financimi publik mbulon vetëm rreth 44% të vlerës së barnave të importuara, ndërsa pjesa tjetër paguhet kryesisht nga familjet. Në vitin 2025, shpenzimet e Fondit për barnat e rimbursueshme arritën në rreth 13 miliardë lekë, nga të cilat 8 miliardë lekë u përdorën për barnat ambulatore të shpërndara në farmacitë e komunitetit. Megjithatë, shpenzimi publik për barna ishte vetëm 57 euro për frymë, dukshëm më i ulët se në vendet e rajonit, si Mali i Zi me 256 euro, Serbia me 168 euro, Maqedonia e Veriut me 95 euro dhe Bosnja-Hercegovina me 87 euro për banor.
Sipas Bankës Botërore, 73.4% e shpenzimeve shëndetësore që familjet paguajnë drejtpërdrejt nga xhepi shkojnë për blerjen e ilaçeve në farmacitë private. Edhe pse lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar në 1,345 produkte, alternativat më të lira përdoren shumë pak, zakonisht në më pak se 10% të rasteve, ndërsa pacientët zgjedhin shpesh barna më të shtrenjta dhe paguajnë diferencën. Raporti rekomandon forcimin e përdorimit të barnave gjenerike dhe biosimilare, përmirësimin e sistemit të çmimeve të referencës dhe monitorim më të rreptë të tregut farmaceutik për të ulur barrën financiare mbi qytetarët.
The post Afro 74% e shpenzimeve shëndetësore nga xhepi i shqiptarëve shkojnë për ilaçe appeared first on GIJOTINA.
