BE reagoi me shqetësim ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet e prokurorëve serbë, të cilat sipas saj ishin tërhequr, si dhe ndaj dekretimit të tyre nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
“BE-ja shpreh shqetësim për vendimin e djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për t’i pranuar dorëheqjet, të cilat ndërkohë ishin tërhequr, si dhe për vendimin e sotëm të Ushtrueses së Detyrës së Presidentes për dekretimin e këtyre dorëheqjeve. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
Bashkimi Evropian thekson se autoritetet e Kosovës duhet të respektojnë Kushtetutën dhe se sistemi i drejtësisë duhet të pasqyrojë diversitetin etnik të vendit.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë të pengojnë riintegrimin e personelit serb të sistemit të drejtësisë në Kosovë”, thuhet më tej në reagimin e Brukselit.
The post BE reagon me shqetësim për largimin e prokurorëve serbë nga sistemi i drejtësisë në Kosovë appeared first on Euronews Albania.
