Plazhi i Durrësit po përballet këtë sezon veror me një rënie të ndjeshme të pushuesve nga Kosova, të cilët për gati dy dekada kanë qenë klientët më besnikë të këtij bregdeti. Rruga “Pavarësia”, dikur epiqendra e këtij fluksi, tashmë vëren një rrudhje të dukshme të numrit të tyre, duke shënuar praktikisht fundin e të ashtuquajturit “turizëm patriotik”.
Sipas pronarëve të hoteleve dhe ekspertëve të turizmit, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë ndryshim të drejtimit lidhen ngushtë me ekonominë dhe lehtësimin e lëvizjeve. Forcimi i monedhës vendase kundrejt euros ka bërë që kursimet e pushuesve nga Kosova të vlerësohen më pak në Shqipëri, duke i shtyrë ata drejt vendeve fqinje që përdorin po euron, si Greqia apo Bullgaria.
Gjithashtu, liberalizimi i vizave, mundësia për të zgjedhur plazhe më Veriore si Shëngjini dhe Velipoja për shkak të distancës më të shkurtër, si dhe rritja e çmimeve në strukturat turistike vendase kanë shtyrë shumë familje të kërkojnë alternativa të tjera. Mungesa e prenotimeve nuk vërehet vetëm nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por edhe nga Italia. Ekspertët theksojnë se familjet dhe grupet e vogla italiane, mjaft të pranishme në vitet e kaluara, i janë rikthyer këtë verë plazheve të tyre në jug të Italisë.
Megjithatë, sektori turistik në Durrës po tenton të kompensojë këto mungesa përmes ndryshimit të hartës së vizitorëve, duke tërhequr grupe të organizuara 7-ditore nga Europa Qendrore dhe Ballkani, si Polonia, Çekia, Bosnja, Ukraina dhe Norvegjia.
Pavarësisht diversifikimit të turistëve, operatorët turistikë ngrenë shqetësimin e problemeve të brendshme, sidomos lidhur me hapësirat e rërës publike.
Sipas tyre, baret dhe restorantet në shëtitoren bregdetare kanë zënë pjesën më të madhe të plazhit me shezlongë dhe baraka-kioska shtesë, duke ngushtuar hapësirat për pushuesit dhe duke rrezikuar estetikën e vijës bregdetare.
The post Durrësi humbet “turizmin patriotik”! Pushuesit nga Kosova dhe italianët braktisin plazhin këtë sezon appeared first on GIJOTINA.
