Ferizaj sot bëhet qendra e volejbollit ballkanik me fillimin e Kampionatit Ballkanik U17 për vajza, i cili do të zhvillohet deri më 25 korrik në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton”.
Nën organizimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe me mbështetjen e Balkan Volleyball Association, në këtë kampionat marrin pjesë gjashtë kombëtare Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Turqia, Mali i Zi dhe Moldavia
Kombëtarja e Kosovës U17 hyn në këtë kampionat pas një periudhe përgatitore intensive, gjatë së cilës volejbollistet e reja zhvilluan grumbullime dhe stërvitje në Skenderaj, si dhe ndeshje kontrolluese, me synimin për t’u paraqitur sa më mirë para publikut vendas.
Ndeshjet e ditës së parë nisin në orën 15:00, kur përballen Turqia dhe Moldavia, ndërsa në orën 17:30 do të luajnë Bullgaria dhe Shqipëria. Takimi që pritet me interesin më të madh është ai i orës 20:00, ku Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Malin e Zi.
Gjatë pesë ditëve të kampionatit, Kosova do të zhvillojë gjithsej pesë ndeshje. Pas sfidës së sotme me Malin e Zi, vajzat e Kosovës do të përballen me Turqinë më 22 korrik, Bullgarinë më 23 korrik, Shqipërinë më 24 korrik dhe Moldavinë më 25 korrik.
The post Kosova mirëpret Kampionatin Ballkanik U17 për vajza në volejboll appeared first on Euronews Albania.
