Edicioni i dhjetë i “Za Fest” ka ngritur siparin në Muzeun Historik të Shkodrës, duke shënuar një dekadë të një festivali që është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në veri të vendit.
Mbrëmja hapëse iu kushtua letërsisë, ku poetja Mimoza Ahmeti dhe shkrimtarja Rita Petro ndanë me publikun reflektime mbi poezinë, procesin krijues dhe sfidat e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
“Jam e kënaqur që jam pjesë e “Za Fest”-it. Vij dhe si shkrimtare dhe poete, por ashtu edhe si kontribuese e Qendrës së Librit, për të përshëndetur këtë festival. Unë mendoj që muzika dhe letërsia, ose poezia, ecin bashkë. Dhe besoj se kjo bërthamë është për të gjitha artet një lloj, si me thënë, qendre. Qendre, pastaj, e cila kapilarizohet. Poezia si forma më subtile e mendimit, që e hap poret e gjuhës dhe e thyen rrethin. Dhe muzika si gjuha pa fjalë. Shkodra është një qytet që të sfidon. Të sfidon me zgjuarsinë, të sfidon me gjuhën e ruajtur, të sfidon me kulturën, me arkitekturën, me vetëpërmbajtjen e saj për të mos shkatërruar gjithçka për hir të qytetërimit. Në Shkodër është një vend që kënaqesh shumë, por që edhe vihesh në siklet, sepse je i detyruar të mendosh, të ndjesh dhe të thuash diçka të mençur, sepse është një popull i mençur”, tha Mimoza Ahmeti.
“Është një jubile jashtëzakonshëm, sepse unë mendoj që festivalet, dhe sidomos kur krijojnë traditë, krijojnë një komunitet tjetër. Ne jemi gjithë kohën në internet, gjithë kohën shikojmë se çfarë ndodh dhe ndjejmë vetminë. Festivali të bashkon; është si një sofër e madhe. Ose do të thoja, është si një revolucion i vogël, që secili gjen veten. Është prania, është prania fizike, që të bën shumë bukur. Dhe pastaj edhe arti: muzika, poezia, vargu dhe gjithçka tjetër na bën të gjithëve bashkë. Dhe aq më tepër, në Shkodër, që shkon aq shumë edhe emri dhe titulli “Za Fest” për t’i dhënë zë lirisë së individit. Dhe për mua kjo është shumë e rëndësishme. Dhe sidomos kur mblidhen edhe kaq shumë të rinj, është gjë shumë e madhe”, tha Rita Petro.
Në kuadër të jubileut, organizatorët prezantuan edhe një dokumentar retrospektiv, i cili riktheu momentet më domethënëse të Za Fest, nga edicioni i parë i mbajtur në Theth deri te rrugëtimi që e ka shndërruar festivalin në një pikëtakim të rëndësishëm të artit, kulturës dhe natyrës.
Atmosfera artistike vijoi me koncertin e artistes Linda Rukaj, e cila mbylli natën e parë të festivalit.
Za Fest do të vijojë edhe në ditët në vijim me aktivitete që ndërthurin muzikën, letërsinë dhe artin, duke sjellë në Shkodër artistë e krijues nga Shqipëria dhe rajoni.
The post Mimoza Ahmeti në “Za Fest”: Shkodra të sfidon me zgjuarsinë, kulturën dhe mençurinë e saj appeared first on Euronews Albania.
