Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur për vendimin që Gjykata Speciale do ta marrë më 16 shtator ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i institucioneve të Kosovës në rast se ata do të dënohen, Konjufca i bëri thirrje Gjykatës së Hagës që të mos merr asnjë vendim politik, por të bëjë vendim të drejtësisë.
“Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos bëjë vendim politik, po të bëjë vendim të drejtësisë. E nëse bën vendim të drejtësisë, ne të gjithë e dimë çfarë është drejtësia. Se ne jemi dëshmitarë këtu si popull që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë. Të kishte qenë luftë kriminale, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, këtë mbajeni në mend. Nuk ka mundësi një luftë kriminale me u mbështet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së Madhe, prej Gjermanisë e prej Francës. Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë afër me figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Konjufca.
Më tej, ai tha se oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar në trajnimin e oficerëve të UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme dhe këtë e kanë bërë sepse UÇK-ja ka kontribuar në ndaljen e gjenocidit të Millosheviqit, e sipas tij, ky është kuptimi i luftës së UÇK-së.
“Oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar në trajnimin e oficerëve të UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme. Pse e kanë bërë këtë? Sepse ushtria jonë i ka kontribuar ndaljes së gjenocidit të Millosheviçit. Kjo është kuptimi i luftës së UÇK-së. E të gjithë të akuzuarit në Hagë i kanë kontribuar këtij qëllimi. E kjo është drejtësia, nëse vendoset me drejtësi, vendoset kështu. E ne, nuk dëshirojmë si popull, bile do të ishim shumë të revoltuar, shumë të revoltuar, nëse vendimi nuk është me drejtësi, por është vendim politik”, tha më tej Konjufca.
The post Konjufca i bën thirrje Gjykatës së Hagës: Mos merrni vendim politik, por të drejtësisë appeared first on Euronews Albania.
