Zbulim arkeologjik në Rromës, zbulohet çezma e periudhës së hershme osmane në Selenicë (FOTO)

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një zbulim me vlera për trashëgiminë kulturore është bërë në fshatin Rromës, në Bashkinë Selenicë, ku gjatë punimeve për ndërtimin e një depoje uji janë zbuluar rrënojat e një çezme të vjetër.

Pas njoftimit nga banorët e zonës, specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë dokumentuar strukturën e zbuluar.

Sipas specialistëve, çezma ruan elementë të rëndësishëm ndërtimorë, mes të cilëve një tubacion qeramike për furnizimin me ujë, kanale shkarkuese dhe mure të ndërtuara me gurë, tjegulla dhe llaç gëlqereje.

Nga analiza paraprake e tipareve arkitekturore dhe materialit qeramik të gjetur në vendngjarje, monumenti mendohet se i përket shekujve XV–XVI, periudhës së hershme osmane.

Specialistët vlerësojnë se ky zbulim përbën një dëshmi të rëndësishme për historinë dhe zhvillimin e fshatit Rromës, ndërsa theksojnë se bashkëpunimi i banorëve me institucionet e trashëgimisë kulturore bëri të mundur dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj strukture me vlera historike.

The post Zbulim arkeologjik në Rromës, zbulohet çezma e periudhës së hershme osmane në Selenicë (FOTO) appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: