AC Milan përgënjeshtron lajmet e rreme për Franco Baresin

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

AC Milan ka mohuar zyrtarisht lajmet e rreme që kanë qarkulluar në orët e fundit në lidhje me legjendën e klubit, Franco Baresi.

Në një reagim të publikuar në profilin zyrtar në rrjetin social X, klubi italian bëri të ditur se Baresi po kalon një moment delikat, por theksoi se informacionet e përhapura për të janë plotësisht të pabazuara.

“Franco po përballet me një moment delikat dhe klubi është pranë tij me dashuri, ashtu si edhe familja e tij. I ftojmë të gjithë të respektojnë privatësinë e tij dhe të mos kontribuojnë në përhapjen e informacioneve të rreme”, thuhet në deklaratën e AC Milan.

Thashethemet për vdekjen e ish-kapitenit historik të kuqezinjve u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar konfuzion edhe te personalitete publike.

Mes tyre ishte edhe zv.kryeministri italian, Matteo Salvini, i cili publikoi një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale me fjalët: “Fluturo me formën tënde të lakuar, Kapiten”, por e fshiu postimin pak minuta më vonë, pasi u konfirmua se lajmi ishte i pavërtetë.

AC Milan u bëri apel tifozëve dhe publikut të tregojnë përgjegjësi në shpërndarjen e informacionit dhe të respektojnë privatësinë e Franco Baresit dhe familjes së tij.

The post AC Milan përgënjeshtron lajmet e rreme për Franco Baresin appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: