Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të shmangin deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet rruga e vetme për përparim.
Reagimi i Brukselit erdhi pas deklaratave të fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për Kosovën.
“Vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në këtë qëllim”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Sipas tij, përparimi në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës është një kusht i domosdoshëm që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Deklaratat e Vuçiçit u bënë më 25 korrik, gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë së Serbisë në Beograd. Kreu i shtetit serb deklaroi se forcimi i ushtrisë, ruajtja e neutralitetit ushtarak dhe mbrojtja e integritetit territorial janë ndër prioritetet kryesore të Serbisë.
Duke iu drejtuar oficerëve të rinj, Vuçiç tha se betimi i tyre i obligon të respektojnë Kushtetutën e Serbisë dhe të mbrojnë integritetin territorial të vendit.
Ai shtoi se si ushtria, ashtu edhe udhëheqja shtetërore e Serbisë, do të përballen me presione të ndryshme, por sipas tij, ruajtja e integritetit territorial mbetet një çështje me rëndësi parësore.
Vuçiç përsëriti qëndrimin zyrtar të Beogradit se “Kosova është pjesë e Serbisë”, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë dhe, siç u shpreh ai, “drejtësisë së Zotit”.
The post Brukseli reagon pas fjalimit të Vuçiçit, i kërkon Serbisë dhe Kosovës të shmangin deklaratat që pengojnë dialogun appeared first on Euronews Albania.
