Stoillkoviç përballë kritikave, “reagon për shoqatën serbe në Kumanovë por hesht për thirrjet kundër shqiptarëve”?

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoillkoviç, është përballur me kritika pas reagimit të tij për dëmtimin e hyrjes së shoqatës kulturore “Sërpski Vez” në Kumanovë, ndërsa u pyet pse nuk kishte reaguar edhe për rastet me mbishkrime dhe thirrje kundër shqiptarëve.

Stoillkoviç ishte ndër zyrtarët e parë që ngriti shqetësimin për shkarravitjet në objektin e shoqatës kulturore serbe në Kumanovë. Megjithatë, gjatë një deklarate për mediat, ai shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me reagimet e tij ndaj rasteve të tjera të gjuhës së urrejtjes, përfshirë thirrjet kundër shqiptarëve në hapësira publike dhe ambiente sportive.

Gazetari i Alsat, Zekirija Haxhiu, e pyeti ministrin për mungesën e reagimeve të mëparshme ndaj këtyre rasteve.

“Edhe njëherë ju lus, drejtohuni në ministri, drejtohuni tek unë. Për çdo gjë që ju intereson do të merrni përgjigje”, u përgjigj Stoillkoviç.

I pyetur nëse kishte reaguar ndaj incidenteve me thirrje kundër shqiptarëve, ai tha: “Gjithmonë kam reaguar. Mos ta prishim një ngjarje të tillë me tema dytësore.”

Stoillkoviç ka shërbyer më herët edhe si ministër për Marrëdhënie mes Bashkësive, por kritikët pretendojnë se gjatë kësaj periudhe ai nuk ka reaguar publikisht për raste të shumta të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, veçanërisht ato të raportuara në stadiume dhe ambiente publike.

Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar disa raste me mbishkrime dhe thirrje fyese ndaj shqiptarëve, përfshirë slogane me përmbajtje ekstremiste. Edhe pse institucionet kanë deklaruar se do të ndërmarrin masa, kritikët thonë se në shumë raste nuk ka pasur ndëshkime konkrete për autorët.

Debati pas deklaratave të Stoillkoviçit ka rikthyer diskutimet për reagimet selektive ndaj gjuhës së urrejtjes dhe përgjegjësinë e institucioneve për të reaguar në mënyrë të barabartë ndaj çdo forme diskriminimi.

The post Stoillkoviç përballë kritikave, “reagon për shoqatën serbe në Kumanovë por hesht për thirrjet kundër shqiptarëve”? appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: