Korrespondenti i Euronews në Kosovë, Xhemajl Rexha, raportoi drejtpërdrejt për “Now” me Esmeralda Mulaj nga fshati Kalludër i Vogël në Zubin Potok, ku autoritetet e Kosovës kanë nisur procedurat për gërmimin e një varreze masive të dyshuar.
Rexha tha se hetimi për këtë rast ka zgjatur rreth dy vite dhe se tashmë ekipet e specializuara të Institutit të Mjekësisë Ligjore pritet të nisin nxjerrjen e mbetjeve mortore, ndërsa dyshohet se ato u përkasin 23 shqiptarëve të Kosovës, të cilët u zhdukën gjatë luftës së vitit 1999.
“Jemi në fshatin Kalludër i Vogël, shumë afër kufirit mes Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi. Është një fshat i thellë malor, ku depërtohet shumë vështirë. Kjo është rruga nëpër të cilën janë marrë me forcë para 27 vitesh 23 shqiptarë të Kosovës, mbetjet e të cilëve po kërkohen shumë afër vendit ku ndodhem. Hetimet kanë zgjatur dhe vetëm tash ka qenë e mundur që të nisë procesi i gërmimit. Dyshimet janë se këta persona janë rrëmbyer, janë plaçkitur, janë maltretuar dhe më pas janë vrarë e varrosur në afërsi të këtij ambienti”, deklaroi Xhemajl Rexha.
Personat që dyshohet se janë varrosur në këtë zonë njihen si “grupi i intelektualëve” të Mitrovicës. Ata ishin kryesisht mjekë, profesorë dhe figura të njohura të jetës publike në Kosovë.
“Shumica e tyre ishin mjekë, ndërsa të tjerë kishin mbajtur pozita të rëndësishme në sistemin paralel të Kosovës gjatë viteve ’90. Ata ishin persona të njohur për veprimtarinë e tyre dhe dyshohet se janë targetuar për shkak të rolit që kishin në shoqëri. Qëllimi ishte të goditeshin njerëz me zë në Kosovë, aktivistë dhe figura publike. Ata janë ndarë nga familjet e tyre dhe dyshohet se më pas janë ekzekutuar”, u shpreh korrespondenti.
Sipas tij, në vendngjarje janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje, ndërsa gjatë ditës pritet të nisin gërmimet nga ekipet e mjekësisë ligjore.
“Gjatë ditës së djeshme nuk janë kryer gërmime, pasi ekipi i forenzikës ka bërë përgatitjet dhe pastrimin e vendit të ngjarjes. Tashmë pritet ardhja e ekipeve të Mjekësisë Ligjore nga Prishtina dhe mund të shohim mbetjet e para mortore që nxirren nga kjo zonë”, u shpreh ai.
Rexha theksoi se procesi i identifikimit të mbetjeve mortore do të jetë një procedurë e gjatë dhe do të kryhet në bashkëpunim me familjarët e personave të zhdukur.
“Gjithçka që do të gjendet sot dhe në ditët në vazhdim do të bartet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do të nisë procesi i identifikimit përmes ADN-së, por edhe përmes veshjeve dhe të dhënave të tjera”, tha korrespondenti.
Në lidhje me këtë rast, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar edhe dy persona me shtetësi serbe, të dyshuar për lidhje me zhdukjen e 23 shqiptarëve.
“Janë arrestuar dy serbë të Kosovës, njëri mbi 80 vjeç dhe tjetri mbi 60 vjeç. Ata dyshohet se kanë lidhje me zhdukjen e këtyre personave dhe me ekzistencën e kësaj varreze masive. Gjykata ka caktuar 30 ditë paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes”, tha korrespondenti i Euronews Albania.
Rasti po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndërsa zbulimi i dyshuar në Zubin Potok rikthen edhe njëherë në vëmendje çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës. Mbi 1500 persona ende figurojnë të zhdukur nga lufta e vitit 1999, shumica prej tyre shqiptarë të Kosovës.
Për familjarët e tyre, çdo gjetje e re është një mundësi për të mësuar më në fund fatin e të afërmve të humbur prej më shumë se dy dekadash.
The post Gazetari i Euronews raporton nga Zubin Potoku, ja kur pritet të nisë nxjerrja e mbetjeve mortore appeared first on Euronews Albania.
