Serbia dhe Shqipëria drejt hapjes së konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc, Gjuriç tregon detajet e takimit me Hoxhën

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, i cili tha se dakordësia është arritur gjatë takimit me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha.

Në një intervistë për Radio Beogradin, Gjuriç deklaroi se hapja e këtyre konsullatave do të jetë një hap në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Më gëzon fakti që pata bisedime të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave të dy vendeve në Shkodër dhe Bujanoc”, tha Gjuriç.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, ministri serb u shpreh se Serbia ka përshpejtuar zbatimin e reformave të lidhura me agjendën e Bashkimit Evropian, duke theksuar se anëtarësimi në BE mbetet një interes kombëtar i Beogradit.

Sipas tij, pjesa më e madhe e shkëmbimeve ekonomike të Serbisë zhvillohet me vendet e Bashkimit Evropian dhe rajonit, ndaj, siç tha ai, është e rëndësishme që Serbia të jetë pjesë e proceseve vendimmarrëse evropiane.

Gjuriç foli edhe për marrëdhëniet me Çekinë, duke e cilësuar atë një partner të rëndësishëm për Serbinë në Evropën Qendrore. Ai tha se gjatë vizitës në Pragë ka zhvilluar bisedime me ministrin e Jashtëm çek, Petr Maçenka, i cili, sipas tij, ka deklaruar se njohja e Kosovës nga qeveritë e mëparshme çeke ishte bërë nën presion.

Sa i përket Kosovës, Gjuriç pretendoi se qeveria e kryeministrit Albin Kurti është duke u izoluar gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare.

“Sa më shumë që regjimi i Kurtit përdor dhunë ndaj serbëve dhe ndaj atyre që mendojnë ndryshe, aq më i izoluar bëhet në bashkësinë ndërkombëtare. Kjo është në favorin tonë”, u shpreh ai.

Duke komentuar çështjen e ndërtesës së ish-Generalishtabit në Beograd, ministri serb mbrojti ministrin e Kulturës, Nikola Selakoviç, duke thënë se ai ka vepruar në përputhje me ligjin dhe në interes të shtetit. Ai i cilësoi akuzat ndaj tij dhe zyrtarëve të tjerë si një fushatë kundër interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.

The post Serbia dhe Shqipëria drejt hapjes së konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc, Gjuriç tregon detajet e takimit me Hoxhën appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: