Arrestimi i Mentor Mustafës nga Serbia, avokati Koci: Sa herë ka hetime për krime lufte në Kosovë, pasojnë arrestime

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ndalimet e qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare nga autoritetet serbe po vazhdojnë. Rasti i fundit është ai i Mentor Mustafës, 44-vjeçar nga fshati Jasenovik i Novobërdës, i cili u ndalua derisa po udhëtonte me autobus nga Shtutgarti drejt Kosovës, së bashku me vëllain e tij, Fejzullahun.

Mustafa u ndalua mbrëmjen e kaluar rreth orës 22:30, në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë. Sipas avokatit Arianit Koci, autoritetet serbe kanë arsyetuar ndalimin me pretendimin për një letërnjoftim të dëmtuar.

Koci ka deklaruar për KosovaPress se arrestimet dhe ndalimet e qytetarëve të Kosovës nga Serbia shpesh ndodhin në periudha kur në Kosovë zhvillohen hetime për krime lufte.

Ai e ka lidhur rastin e fundit me zhvillimet e javës së kaluar në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku janë kryer gërmime nën dyshimet për gjetjen e mbetjeve mortore të 23 intelektualëve nga Mitrovica, të vrarë gjatë luftës së fundit.

“Si avokat që prej vitesh merrem me raste të tilla, nuk mund të mos e vërej se sa herë që në Kosovë ka zhvillime të rëndësishme lidhur me krimet e luftës, shpesh pasojnë edhe veprime të autoriteteve serbe. Kjo krijon një perceptim se po tentohet të ndërtohet një lloj barazimi i krimeve”, ka thënë Koci.

Sipas tij, edhe ndalimi i fundit i Mentor Mustafës vjen në një periudhë kur në Kosovë po zhvillohen hetime të rëndësishme për krime lufte.

Avokati ka thënë se këto veprime po krijojnë pasiguri te qytetarët e Kosovës, duke kërkuar prej tyre kujdes sa herë që udhëtojnë nëpër territorin e Serbisë.

Ai ka shtuar se angazhimi në raste të tilla është edhe një detyrim profesional dhe njerëzor, pasi asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të ndihet i vetëm kur përballet me një situatë të tillë jashtë vendit.

Koci ka kërkuar angazhim më të madh institucional nga autoritetet e Kosovës për rastet e ndalimit të qytetarëve në Serbi.

“Koha është faktori më i rëndësishëm. Duhet të angazhohet menjëherë një avokat në Serbi, të kuptohet baza ligjore e ndalimit, të sigurohet qasja në dokumentacion dhe të përdoren të gjitha mjetet juridike që i parashikon ligji”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, përvoja e viteve të fundit tregon se veprimet e autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës janë shtuar dhe për këtë arsye nevojitet një reagim më i shpejtë institucional.

Koci ka vlerësuar punën e ambasadorit të Kosovës në Beograd, Jetish Jasharit, por ka thënë se ai ka nevojë për më shumë mbështetje institucionale.

“Ai është një diplomat shumë i mirë, mirëpo është lënë vetëm në zyrë. Atij i duhet ndihmë. Nuk mjafton vetëm familja dhe avokati. Duhet një reagim i shpejtë dhe i koordinuar institucional”, ka thënë Koci.

Duke folur për sfidat me të cilat përballen qytetarët shqiptarë të ndaluar në Serbi, Koci ka thënë se një nga problemet kryesore është mungesa e informacionit në orët e para pas ndalimit.

“Sfida më e madhe është se nuk ke përballë vetëm një procedurë juridike. Ke një qytetar të privuar nga liria, një familje që pret lajme dhe shpesh shumë pak informacion në orët e para”, ka thënë ai.

Koci ka treguar edhe një përvojë personale, duke thënë se është ndaluar nga autoritetet serbe gjatë hyrjeve të tij në Serbi për kontrolle shtesë.

“Edhe unë në disa nga hyrjet e mia të fundit në Serbi jam ndaluar për kontroll shtesë. Madje kjo ka ndodhur edhe kur kam qenë në prani të ambasadorit të Republikës së Kosovës, Jetish Jasharit, dhe duke udhëtuar me veturë diplomatike”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se nuk dëshiron të spekulojë për arsyet e këtyre kontrolleve, por sipas tij, procedurat ndaj qytetarëve të Kosovës janë bërë më të shpeshta dhe më rigoroze.

“Megjithatë, kjo situatë dhe ky presion edhe ndaj meje nuk më ka dekurajuar”, ka përfunduar Koci.

The post Arrestimi i Mentor Mustafës nga Serbia, avokati Koci: Sa herë ka hetime për krime lufte në Kosovë, pasojnë arrestime appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: