Serbia glorifikon Brigadën e 37-të, ndërsa familjet e të zhdukurve presin përgjigje në Kosovë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Derisa në Kosovë po vazhdojnë gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të shqiptarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në Rashkë të Serbisë të shtunën u zbulua një monument kushtuar pjesëtarëve të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave të vrarë gjatë luftës së vitit 1999.

Brigada e 37-të është një nga njësitë ushtarake që përmendet në dokumentacionin e organizatave për të drejtat e njeriut dhe në kërkesat institucionale të Kosovës për zbardhjen e krimeve të luftës dhe fatit të personave të zhdukur.

Në ceremoninë e mbajtur në Rashkë morën pjesë ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, dhe ish-komandanti i Brigadës së 37-të, Ljubisha Dikoviq, shkruan Kossev, transmeton KosovaPress.

Ata e përshkruan brigadën si një njësi heroike, përkundër faktit që e njëjta prej vitesh ndodhet në qendër të kërkesave të Kosovës për hapjen e arkivave ushtarake. Institucionet e Kosovës vlerësojnë se dokumentacioni i saj mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe në hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

Në korrik të vitit 2024, kryeministri Albin Kurti njoftoi se Kosova i kishte dorëzuar Serbisë një kërkesë zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës së 37-të, në zbatim të Deklaratës për Personat e Zhdukur të dakorduar në Bruksel. Kërkesa u përsërit edhe këtë vit në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka theksuar prej vitesh rëndësinë e arkivës së kësaj brigade. Në dosjen “Rudnica”, organizata thote se viktimat e gjetura në varrezën masive në Rudnicë ishin civilë shqiptarë të vrarë në pranverën e vitit 1999 në Drenicë, zonë që atëherë ishte nën përgjegjësinë e Brigadës së 37-të të Motorizuar. Sipas Fondit, dokumentacioni që posedon tregon për një operacion të zhvendosjes dhe fshehjes së trupave në territorin e Serbisë.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke argumentuar se klasifikimi i dokumenteve është bërë në përputhje me ligjin dhe nuk pengon hetimet e institucioneve kompetente.

Ngritja e një monumenti për një brigadë që vazhdon të jetë objekt kërkesash për hapjen e arkivave dhe hetime mbi ngjarjet e vitit 1999 dërgon një mesazh të gabuar, ndërkohë që fati i mbi 1500 personave të zhdukur ende nuk është zbardhur.

Përndryshe, në Kosovë janë dokumentuar emrat e mbi 13 mijë viktimave të luftës së fundit.Bashkia që propozohet të shkrihet ka performancë funksionale më të mirë se bashkia që propozohet ta përthithë dhe performancë funksionale më të lartë se të gjitha bashkitë e tjera të Qarkut Fier.

The post Serbia glorifikon Brigadën e 37-të, ndërsa familjet e të zhdukurve presin përgjigje në Kosovë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: