Real Madridi është shumë pranë finalizimit të transferimit të talentit të Bregut të Fildishtë, Yan Diomande, i cili ka lënë kampin stërvitor të Leipzigut për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore në Spanjë.
Sipas raportimeve, 19-vjeçari do t’i bashkohet klubit madrilen në një marrëveshje me vlerë totale deri në 140 milionë euro. Nga kjo shumë, 125 milionë euro do të paguhen menjëherë, ndërsa 15 milionë euro të tjera janë parashikuar në formën e bonuseve.
Nëse aktivizohen të gjitha bonuset, Diomande do të bëhet blerja më e shtrenjtë në historinë e Real Madridit, duke kaluar transferimet e Jude Bellingham dhe Eden Hazard.
Marrëveshja ishte drejt mbylljes që javën e kaluar, por u shty për shkak të çështjeve që lidhen me përfaqësimin e futbollistit.
Diomande ishte një nga zbulimet e sezonit të kaluar në Bundesliga, ku realizoi 12 gola dhe 8 asistime me fanellën e Leipzigut. Ai spikati edhe me Kombëtaren e Bregut të Fildishtë në Kupën e Botës, duke kontribuar në kualifikimin historik të skuadrës në fazën me eliminim direkt.
Për sulmuesin kishte shfaqur interes edhe Paris Saint-Germain, por Real Madridi duket se ka fituar garën për firmën e një prej talenteve më premtues të futbollit botëror.
The post Real Madridi pranë supergoditjes, Yan Diomande drejt transferimit rekord prej 140 milionë eurosh appeared first on Euronews Albania.
