Zgjedhja e presidentit, Kurti i ofron PDK postin e kryetarit të Kuvendit, i kërkon mbështetje për zgjedhjen e presidentit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka ofruar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) postin e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të mbështetjes për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.

Në letrën drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Kurti ka shprehur keqardhje për refuzimin e takimit nga ana e kësaj partie, duke theksuar se komunikimi mes tyre duhet të zhvillohet përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm me shkresa zyrtare.

Ai ka thënë se e respekton vendimin e PDK-së për të mbetur në opozitë, por ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit janë procese që kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha forcave politike.

Sipas Kurtit, kontributi real i PDK-së nuk është vetëm propozimi i emrit për nënkryetar të Kuvendit, por edhe pjesëmarrja në zgjedhjen e presidentit, gjë që, sipas tij, do ta shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të paarsyeshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit”, ka shkruar Kurti.

Në fund të letrës, ai i propozoi PDK-së që kjo parti të marrë postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të mbështetjes për presidentin.

“Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për president/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne. Ky do të ishte një kontribut i juaji me përfitim për PDK-në: udhëheqjen e njërës nga tri pozitat e larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e Kurtit.

gijotina.com/

The post Zgjedhja e presidentit, Kurti i ofron PDK postin e kryetarit të Kuvendit, i kërkon mbështetje për zgjedhjen e presidentit appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: